Kapja politike u eliminua dhe kjo është meritë e opozitës

Eduard HALIMI

Jam kundër uljes së dënimit për ata që dalin me armë pa leje në brez. Qeveria e uli nga 15 në 7 vjet dhe kjo për mua është e paimagjinueshme. Duhet reformuar paketa për armët. Kush i mban në shtëpi, t’i mbajë me leje. Kur i mbajnë pa leje duhet të dënohen‎ ashpër. Nuk është recetë rritja e masës, por është zgjidhje që si prind dhe deputet duhet të them nesër: unë e bëra detyrën time. Kaq kam.  Siguria publike është dizaster, krime pa fund, vrasje, grabitje, të gjitha me armë. Çunat e krimit lëvizin  me armë në brez, me leje de facto nga qeveria, por jo me leje de jure. Çunat e krimit, vranë drejtorin e bankës, vodhën banka, vjedhin Rinasin të gjitha me armë. E pastaj flasim për reformën.  Reforma ishte rol historik i opozitës. Mirënjohje për kolegët, mirënjohje për ekspertët, mirënjohje për Venecian.  Pse Venecian? Sepse opozita kërkoi vetëm një kusht para 1 viti. Venecian. Sepse Venecia shpëtoi ‎nga kapja. Ne nuk bëmë draft, por drafti i shtatorit ishte i papranueshëm. A kishte ky draft z. Rama zgjedhjen e 31 zyrtarëve të drejtësisë nga Kryeministri? Po. A e ka sot? Nuk e ka, u çmontua. A kishte drafti i shtatorit omnipresencen e ministrit të Drejtësisë? A ishte prezent në KLGJ? Po ishte. Është sot? Jo.  A ishte ministri në KLP? Po ishte, sot nuk është më. A ishte ministri kryeinspektor i gjyqtarëve e prokurorëve? Po ishte, sot nuk është më. A ishte ministri në tribunal disiplinor? Po ishte, sot nuk është më. A ishte ministri në Këshillin e Emërimeve? Po ishte, sot nuk është më. A e kishe byronë nën ministrin e Brendshëm? Po e kishe, sot nuk e ke më. Ja pra kjo është e vërteta, 38 herë e ndryshoi Venecia dhe i dha të drejtë opozitës.  Armiku më i madh që ka drejtësia është kapja politike po aq sa korrupsioni. Kapja politike u eliminua dhe kjo është meritë e opozitës, është meritë e ekspertëve të opozitës, është fitore e PD, por mbi të gjitha e shqiptarëve, që të kemi një drejtësi të përgjegjshme, llogaridhënëse dhe të pavarur edhe kur Kryeministër është Rama dhe kur nesër të jetë Basha.

Exit mobile version