Flamur NOKA
Nuk mund të rrish pa reaguar kur sheh që kakaris si gjel majë plehut ky ministër. Edhe flet ky kur dje pati 4 të vrarë dhe 6 të plagosur. Shqipëria e përgjakur. Çdokush prej nesh e di që në këtë vend prej kaq kohësh nuk mund të flitet më për rend dhe siguri publike. Nuk flitet më. Por në këtë vend duhet t’i dalësh vetë zot vetes dhe kush nuk është i zoti e ha ujku, thotë populli. Është kthyer në xhungël Shqipëria. Ky flet për drejtësinë dhe drejton gishtin apriori kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Unë s’kam njohur gjyqtarë apo prokurorë, por jam i bindur se gjyqtari apo prokurori më i inkriminuar është lule, kur e krahason me këtë dhe me atë tjetrin aty. Nuk ke gjyqtarë apo prokurorë ushtarë të bandave siç janë këta dhe nuk besoj të ketë nga ata që japin toka me përqindje për të mbjellë hashash. Nuk besoj se ka pasur apo do të ketë më ministër të Brendshëm ky vend që të mbledhë 30% të hashashit në çdo cep të Shqipërisë. Nuk besoj se do të ketë drejtues që të çojnë policët që të ruajnë hashashin. Nuk kam besuar që të ketë një institucion shtetëror që të vjedhë bankat vetë. Thoni që pse akuzoj, por ne e kemi bërë publike me detaje ngjarjen e Rinasit. Do të thoni që ka injorantë në polici e marrin furgonin e krimit dhe e fusin në komisariat pa lejen e Prokurorisë?! Pse?! Për të fshehur gjurmët e krimit. Është vjedhje shtetërore. Si iu iku?!
Sapo kaloi Reforma në Drejtësi shqiptarët u gëzuan, por me një hile qeveria kaloi një koncesion për rrugën e “Kombit”. Pse duhej gjithë ky ngut?! Na ka dhënë dy gisht letër sqarime pse u dha me koncesion. Ajo rrugë është arteria kryesore e këtij kombi dhe çfarëdo kosto të kishte duhet të ishte pa koncesion se i shërben Shqipërisë dhe Kosovës. Por këta janë antishqiptarë. Është ura që bashkon ekonomitë tona dhe rruga që bashkon kombin. Kjo është vjedhje, sepse kjo firmë fantazmë turke e keni krijuar vetëm për këtë punë dhe fjalët që qarkullojnë që je 50% aksioner tek kjo firma janë të vërteta. Sepse IFC si konsulent iu rekomandoi që 0.4 euro të vihej tarifa dhe ju e çuat edhe më lart. Ky është pazari, sepse ke përqindje aty. Ky koncesion nuk dëmton vetëm Kukësin, por është edhe antikombëtar, sepse izolon Kosovën dhe u thua atyre mos hajdeni në Shqipëri.