Karaj: Kisha presione nga drejtues të Bashkisë që të tërhiqja denoncimin

Besmir Karaj tregon se ai ka pasur presione të shumta nga drejtues të Bashkisë Tiranë për të tërhequr denoncimin e falsifikimit të firmës së tij në gjobën e vendosur ndaj PD në protestën e 8 dhjetorit të vitit që kaloi. Refuzimi i tij ka sjellë dhe shkarkimin nga puna.

– Kur e morët njoftimin për largimin nga puna?
Më kanë njoftuar që ditën e premte pasdite, duke më thënë ditën e hënë të paraqitesh te Bashkia e madhe te protokolli për njoftim për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me Bashkinë. Vajta sot (të hënën) rreth orës 10:30 te protokolli në Bashki dhe aty më njoftuan për pushimin tim nga puna.

– Me çfarë motivacioni u pushuat nga puna?
Ndërpriten marrëdhëniet e punës. Kaq më thanë.

– Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me eprorët pas denoncimit të skandalit të falsifikimit të dokumentit të gjobës?
Marrëdhëniet kanë qenë totalisht të ngrira dhe me një vendim të ndryshimit të pozicionit të punës direkt pas skandalit nga inspektor në terren më kaluan oficer roje te Drejtoria e Policisë Bashkiake.

– Gjatë punës tuaj a keni patur ndonjë vërejtje nga eprorët apo masë masë disiplinore?
Jo, nuk kam patur asnjë vërejtje dhe as masë disiplinore. Kam kryer punën time normalisht si oficer roje te salla operative.

– Pas denoncimit të skandalit, a keni patur presione te puna?
Ka pasur presione të ndryshme nga drejtues të institucionit. Më thonin të mos e ndiqja më tej punën e denoncimit. Më thonin mos vazhdo më tej se do ta pësosh keq. Më është bërë presion që të lija punën. Më thonin po nuk u largove do ta pësosh më keq.

– Pse nuk u larguat nga puna pas presioneve të vazhdueshme?
Unë nuk u largova nga puna, sepse isha i pafajshëm dhe po kërkoja të drejtën time, pasi më ishte falsifikuar firma dhe shkrimi i procesverbalit nga drejtuesit më të lartë të Bashkisë. Dhe si pasojë gjithë këto sulme që më janë bërë kanë qenë sulme politike për efekt të pozicionit të familjes time në Partinë Demokratike. Babai im është kryetar i Degës së Partisë Demokratike Fushë-Krujë.

– Ju thoni se pushimi juaj nga puna është bërë për motive politike, çfarë rruge do të ndiqni më tej?
Unë kërkoj drejtësi dhe do ta ndjek çështjen sipas ligjit.

Intervistoi: Rexhep POLISI

Exit mobile version