Shefi i kabinetit të ministrit pronar i karburantit ku u vranë dy fëmijët

Mbrojtëset anësore të autostradës Plepa-Golem, që u bënë shkak për vdekjen e dy fëmijëve të familjes Negollari në aksidentin e së shtunës, nuk janë vendosur për të favorizuar një karburant, i cili rezulton të jetë në pronësi të një zyrtari të lartë në Ministrinë e Transporteve. Bëhet e ditur se, kjo pikë karburanti është e regjistruar në emrin e shoqërisë PIENVIS, me pronar Pilo Këri, babai i Krislen Kërit, shefit aktual të kabinetit të ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Në dokumentat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit thuhet se kjo shoqëri në pronësi të Pilo Kërit ushtron aktivitetin e tregtimit me pakicë të karburanteve, vajrave lubrifikantë e autogaz, 2.8 kilometër nga rrethrrotullimi i Malit të Robit. Këto të dhëna korrespondojnë pikërisht me vendin ku ka ndodhur aksidenti i së shtunës.
Prokuroria e Kavajës, që ka nisur hetimet për aksidentin, dyshon se barrierat metalike anësore nuk janë vendosur në dy vende për të favorizuar këtë karburant. Procedimi penal është regjistruar edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar, një institucion në vartësi direkte të Ministrisë së Transporteve, pasi dyshohet se Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën pa u plotësuar me elementët e domosdoshëm të sigurisë, siç e kërkon ligji.
Po ashtu hetime po kryhen edhe për kompaninë që ka ndërtuar këtë pjesë të rrugës, nëse ajo nuk e ka vendosur me iniciativë të saj mbrojtësen anësore pranë këtij karburanti, apo i është kërkuar nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Transporteve.
Bëhet e ditur se, kompania që ka ndërtuar këtë segment rrugor e ka fituar tenderin me një diferencë të theksuar me ofertuesit e tjerë. Dhe dyshohet se janë bërë pazare të pista, pasi tenderi ju dha kompanisë që ofroi më shumë para se sa kompanitë e tjera që morën pjesë në tender. Edhe pse kësaj kompanie i janë dhënë miliarda lekë jo vetëm që nuk ka vënë mbrojtëse anësore në vendin ku ndodhi aksidenti, por nuk e përmirësoi aspak sinjalistikën.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. ABC News u interesua pranë Ministrisë së Transporteve për të pyetur shefin e kabinetit të ministrit të Transporteve, se cila është lidhja e tij me këtë karburant. Por as Këri dhe as zyrtarët e tjerë nuk pranuan t’i përgjigjen interesimit tonë. Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzoi të përgjigjet në lidhje me hetimin. Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzoi të përgjigjet në lidhje me hetimin. Ndërkohë Prokuroria e Kavajës bëri të ditur se po heton edhe pronësinë e karburantit dhe lidhjen e shefit të kabinetit të ministrit Edmond Haxhinasto me cenimin e sigurisë rrugore.
Prokurorët që po mbledhin të gjitha provat dhe shkresat zyrtare mbi sigurinë e kësaj rruge, dyshojnë se kjo ka qenë arsyeja që Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën edhe pse ishte cënuar një element i rëndësishem i sigurisë rrugore. Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që po hetohet për këtë rast. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se, është regjistruar procedimi penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ka dyshime se ky institucion nuk ka zbatuar rregulloren në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. Por edhe sinjalistika në lidhje me shpejtësinë po hetohet. Vetëm në vendin ku mbrojtësja nuk është vendosur, shpejtësia është 60 kilometër në orë.
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 14 dhe 37 përcakton qartë përgjegjësitë e Autoritetit Rrugor. Neni 37 thotë që vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor është në ngarkim të enteve pronare të rrugës. Ndërsa neni 14 thotë se, entet pronare të rrugëve kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit.

Policia Rrugore i kërkoi Autoritetit Rrugor të vendosë mbrojtëset anësore

Në rast se do ishte marrë parasysh konstatimi dhe sugjerimi i Policisë Rrugore drejtuar nëpërmjet një letre Autoritetit Rrugor Shqiptar, aksidenti i së shtunës ku humbën jetën dy fëmijë më nuk do të ishin shkaktuar këto pasoja. Në vitin 2015 Departamenti për Sigurinë Publike në Policinë  e Shtetit i ka dërguar një shkresë Autoritetit Rrugor Shqiptar “Mbi gjendjen e rrugëve dhe sinjalizimet rrugore” ku e vë në dijeni për rrezikshmërinë që paraqet mungesa e mbrojtëseve anësore pikërisht në vendin ku ndodhi aksidenti me dy viktima, të shtunën.
“Rruga Golem-Kavajë-Rrogozhinë është e papërfunduar, Unaza në fshatin Gosë vazhdon të jetë problematike, ngushëtimi i korsive në drejtim të lëvizjes Kavajë-Rrogozhinë është i pashoqëruar me masat përkatëse, sinjalizime rrugore të pamjaftueshme, pa ndriçim, mban pjesërisht ujë mbi sipërfaqen e saj. Mungojnë plotësisht sinjalizimet rrugore horizontale, vertikale, tabelat treguese dhe tabelat “STOP”, daljet  në rrugë kryesore janë problematike dhe të pashoqëruara me korsi ngadalësimi”, shkruhej në letrën drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në shkresën e përpiluar nga Drejtoria e Policisë Rrugore rezulton se, gjendja e sinjalizimeve rrugore në rrjetin rrugor kombëtar dhe lokal nuk është në parametrat e kërkuar të sigurisë rrugore. Në letër evidentohen të paktën 28 akse rrugore me problematika.
Në aksin rrugor “Golem-Kavajë-Rrogozhinë” në harkun kohor të 45 ditëve kanë humbur jetën 5 persona, për shkak të mungesës së elementëve të sigurisë.
Në aksidentin e të shtunës, makina e drejtuar nga 24-vjeçarja Silvana Negollari u përplas me mbrojtesën metalike, e cila, për shkak se rezultonte e shkëputur, u fut në makinë, duke u marrë jetën dy fëmijëve të saj dhe duke plagosur një tjetër.
Karburanti në Golem që u bë shkak për aksidentin e rëndë ku vdiqën dy fëmijë është në pronësi të shefit të kabinetit në Ministrinë e Transportit. Për këtë çështje Prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet.

Vdekja e dy fëmijëve, i gjithë fshati në zi e në dhimbje

I gjithë fshati Gërmenj në Kavajë, ku ka jetuar më parë familja Negollari, është zhytur në zi e në dhimbje, pas humbjes tragjike në aksident pasditen e së shtunës të dy vogëlushëve Alice e Dritan 3 e 5 vjeç, në Qerret të Kavjës. Familjarët të revoltuar mbi historinë e trishtë të familjes Negollari, deklarojnë se Sokolin e arrestuan dhe e harruan në burg, se ishte i varfër dhe nuk kishte mbështetje. Ata theksojnë se u mbajt shumë gjatë pas kangjellave të burgut vetëm për nisjen e ndërtimit të shtëpisë ku të fuste kokën, pasi i ishte refuzuar leja e ndërtimit që e kishte të domosdoshme.
“Në pronën e tij, në shtëpinë e tij, shembi të vjetrat dhe bëri të rejat. E harruan në burg, njeri për ta ndihmuar nuk kishte, di që ka kërkuar edhe leje”, tha kushëriri i Sokolit, Gëzim Goxha.
“Ku do drejtohesh? Po nuk dhe lekë stë japin leje”, tha një tjetër banor.
“Ata që ndërtojnë gradaçela nuk përfundojnë në burg, se i kanë shpatullat e ngrohta, mbrohen nga shteti”, shtoi një tjetër.
“Sokali i ka shtëpitë këtu që kur i ka bërë i ati i vetë që në kohë…”, shtoi një banor.
“Po e ndërtonte shtëpinë aty ku e ka pasur”, tha një tjetër.
“Të paktën ta linin në arrest shtëpie, mos ta merrnin brenda, ta linin tek kalamanjtë e vet jo gjithë kjo tragjedi, dy fëmijë, dy lule”, thotë e afërmja e fisit, Zylfie Cani.
Ndërkaq 3 ditë pas aksidentit situata për sinjalistikën në rrugë, vijon të jetë e njëjtë. Askush nuk ka ndërhyrë për të shmangur të tjera pasoja të rënda.
Në banesën aktuale të familjes Negollari në plazhin e Durrësit respektohet kodi i zisë. Aty janë hapur dyert e mortit, ndërsa nëna e dy vogëlushëve, Silvana 24-vjeçare është në traumë fizike dhe psikologjike. 24-vjeçarja i kish nxjerrë vetë nga makina dy vogëlushët e pajetë pas aksidentit.

R.POLISI

Exit mobile version