Dr. Fatmir Terziu
Natyrisht telat e çadrës nuk bëjnë muzikë. Nuk bëjnë muzikë, por prodhojnë mesazh për të gjithë, po aq sa dhe për një “karrige”. Mesazh që kapërcen kufijtë dhe shkon deri në sallat e politikës botërore. Mesazh që zgjohet nga “karrigia e harresës”. Nuk bëjnë muzikë ndoshta për “audiencën” allaRama, por transferojnë mesazh të qartë për të, që natyrisht është bërë një model si i tillë. Dhe aritmetika e 28-të e protestës së paqtë popullore, tregon qartë se mesazhi është për të gjithë. Ai është edhe për Ramën, “audiencën” e tij. Audiencë?!
Nëse ka mbetur një e tillë, veç asaj që sytë i ka përreth kanabistanit, veshët nga telat e “çadrës së lirisë” dhe bythën tek karrigia e lënë amanet prej baballarëve të qeverisjes së sotme. Dhe ky është fakt. Po aq sa dhe miti për telat e Paganinit. Telat ende kumtojnë. Kumtojnë, … në një natë të madhe.
Historia e asaj nate kur Paganini ishte duke luajtur përpara një audience të fuqishme, kur iu këput një tel nga violina e tij, ka hyrë pos gojëve të quajtura “analistë” edhe në veshët e kanabistanistëve me kostumin e nakatosur të disa institucioneve, që ushqehen ende nga miti i karriges së harruar kolektive… Dhe ata e dinë dhe ende e ndjejnë, kur rruaza e djersës së Paganinit rrëshqiste poshtë baqthit të ndarjes me sytë e tij, por ai vazhdonte të luajë, duke improvizuar ashtu sikurse vetëm ai e dinte. Pastaj dhe një tel i dytë u këput. Dhe një i tretë. Violina mbeti me një tel, por mjeshtri-performues e plotësoi kompozitën. Madje, mjaft kohë përpara se të mbaronte muzikën mjeshtërore, audienca ishte zjarr.
Zjarr përpara këmbëve të tij me duartrokitje të stuhishme. Kur duartrokitjet ndaluan, Mjeshtri e ngriti lart violinën e tij, ktheu kokën nga dirigjenti dhe ia bëri me shenjë për të rifilluar përsëri. Atëherë dirigjenti i buzëqeshi turmës dhe bërtiti: “Paganini … dhe një tel!”. Me violinën e tij Stradivari, të futur mirë poshtë mjekrës së tij, ai luajti, ndërsa audienca dhe dirigjenti tundnin kokat e tyre nga mrekullia. Paganini dhe teli i vetëm i violinës së tij dhe shpirti që refuzoi të ndërpresë shfaqjen! Kjo është ajo që duhet! Kjo është ajo që bën Basha me “çadrën e lirisë”.
Aq më shumë që qëndron e hapur “çadra e lirisë”, aq më shumë mëson e gjithë audienca, pa dallim e majtë dhe e djathtë, se jeta që jetohet realisht është 10 për qind me atë çfarë ndodh me popullin, se fatet i ka tek një “karrige” e harresës kolektive dhe 90 për qind se si audienca duhet t’i përgjigjet këtij 10 për qindëshi dhe vetë karriges së tillë.
Kështu kuptohet akoma më qartë, kryeopozitari Basha, që na dërgon mesazhin, nëse duam për të ecur përpara apo të pranojmë të mbetemi në qarkun e rrethrrotullimit të diktuar nga fati i karriges së harruar kolektive. Të ferrit më saktë, që farën e mbjellur prej tij, përtej nostalgjive, kërkon ta mbajë të gjallë në po atë karrige.
Në atë karrige, ku shpirtrat në ferr janë ulur për të na bërë ne të harrojmë. T’i harrojmë ata të gjithë. Dhe ekzistencën e tyre djallëzore. Të mëparshmen e tyre. Ndaj menjëherë kuptojmë atë që ka ndodhur nga mitologjia greke. Nga kjo mitologji, Tezeu dhe Peiritou ishin ngjizur në një lloj karrige. Edhe pse Herakliu arriti në kohë jo thjesht për të shpëtuar Tezeun, Peiritou u ngul përgjithmonë e nuk e lëshoi atë karrige.
Kjo karrige e bëri qëllimin dhe pastaj u duk se u harrua. Si e tillë u quajt “karrigia e harresës”. Kjo karrige, plot zullume ka shkuar më tej. Ka prodhuar disa perceptime. Percetime, që jo pak herë na shtyjnë të bëjmë lidhje. Me këtë rast me ngacmimin e ndjenjave publike, kur Xhafa, ish-hetuesi i diktaturës komuniste, propozohet nga Rama, përsëri në krye të Ministrisë së Brendshme. Atij i propozohet kjo karrige. “Karrigia e harresës” kolektive, edhe pse e çalë, me tre këmbë, (pasi ajo është e tillë tremujorëshe), jo më kot del në skenën e sotme politike. Ajo ka qëllim të caktuar vazhdim-jetëgjatësie. Ka dhe një qëmtim të pikasur. Me një karrige të tillë, Rama rikthen sytë e “audiencës” së tij të origjinës, tek vetë fakti i një karrigieje të tillë, që ka lidhjen gjetkë dhe zgjon nostalgjitë e tjera. Me këtë karrige që rëndon mbi eshtrat e të vrarëve nga diktatura nga hetuesit e saj mizorë.
Duke qëmtuar këto lidhje, “karrigia” e riprodhuar dinakërisht prej Ramës, për kandidatin e tij ministër të Brendshëm, pak metra përtej çadrës së protestës, edhe pa shkuar tek 5.5 tonët dhe 12 metrat lartësi, të “karriges” gjigante prej druri me një këmbë të thyer të vendosur, disa oborre larg nga hyrja e Pallatit të Kombeve të Bashkuara, duket se ka një provokim të qartë. Kjo lloj karrigeje, sigurisht nuk ka të bëjë me artin e karriges së Zvicrës, por ka në thelb mes mesazhit “pickues” një kënd të harruar, që na sjell në vëmendje, kohën kur diktatura e tribunave me lule, i përzgjidhte bijtë e saj të betuar me grushtin lart, për ditë të tilla, të gatshëm për t’i “këputur këmbë e duar, cilitdo që thyen vijën e Partisë”.
Karrigia e Zvicrës, na kujton jo thjesht përmendoren në Gjenevë, por faktin e saj origjinal, që këmbën e thyer e kishte dedikuar për njerëzit që kanë humbur gjymtyrët e tyre për shkak të minave, kur ajo kishte për qëllim për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve politikanë nga e gjithë bota për vuajtjet me të cilat përballen qytetarët, të cilët janë aq të pafatë të paguajnë një çmim për luftën me pjesët e tyre të trupit. Dhe për ironi të faktit dhe fatit të lidhur me një vit të trishtë shqiptar, me vitin 1997, kjo vepër arti e komisionuar një vit para këtij viti, me idenë e Paul Vermeulen, kërkoi realizimin nga duart e mjeshtërve, artistit, Daniel Berset dhe karpentierit Louis Geneve një ide më të gjerë.
Kjo ide që sa vjen e kumtohet tej vlerës, me të drejtën e citimit publik, na shpie më tej se sa propozimi dhe përzgjedhja e kandidatit të Ramës, ku një përgjigje vetëm se shton më shumë debat. Një karrige e tillë është më shumë se provokuese. Nuk është thjesht për t’u alarmuar me “Paganini … dhe një tel!” nga telat e “çadrës së lirisë”. Nuk është kaq thjesht! A thua kot e riprodhoi “karrigien e harresës” Rama përballë “çadrës së lirisë”?