Ju jeni ndër intelektualët e parë dhe të pakët, që patët kurajën të inicionit dhe të afirmonit këtë frymë të re, ose thënë ndryshe, këtë mënyrë të re në të menduarit shqiptar. Ku e keni gjetur mbështetjen për këtë veprim mjaft të guximshëm, që duke pasur parasysh mentalitetin tonë, në një farë mënyre, do të mund ta kompromentonit edhe personalitetin tuaj, pra titullin dhe famën? Daut Demaku: Po filloj nga pjesa e fundit, fama. Fama është mashtrimi më i madh i njeriut të gjorë. Fama e njeriut zgjat aq sa zgjat flaka e një fije kashte. Për famën nuk lodhem fare.
Në jetën time, çkado që kam marrë përdore të punoj, përpara e kam pas një pyetje të rëndë: a është vlerë për të mirën kombëtare? Shikuar nga ky kënd, kur i analizova mirë e mirë të gjitha këshillat që dalin nga literatura amerikane, ktheva shikimin edhe në rrafshin e mendimit shqiptar. Për habinë time, këto dy gjëra, takoheshin në një majë të përbashkët dhe formësonin një tërësi unike për të cilën jo që ia vlente të punosh, por për të ia vlente edhe të jetosh.
Po ta merrni, për shembull, librin tim që sapo doli nga shtypi “Tregimet shqiptare dhe mendimi pozitiv-1” do ta vëreni vërtet një mrekulli: sa bukur korrespondon mendimi i traditës shqiptare me majat e dijes botërore. Kjo është mahnitëse. Do të gjeni tregime shqiptare, që janë majat e dijes njerëzore, që populli ynë i ka bartur nëpër gjenerata me gojëdhëna dhe, kur të lexohet me vëmendje edhe komentimi që i shoqëron dhe i krahason me dijen kulminante botërore, sidomos të literaturës amerikane – do të shihni se shqiptarët e kanë shpirtin e pastër si bora në majat e larta, por edhe mendjen e kthjelltë, si ujë i lumit malor. Kjo bindje më dha fuqi dhe siguri dhe unë këtë punë nuk e kam shndërruar në profesion, por në mision. Mua më ra hise ta nis këtë punë (gjithmonë dikush duhet të jetë i pari) dhe jam falënderues që ndodhi kështu…
Tash kemi botuar aq shumë tituj të literaturës së mendimit pozitiv, sa thjesht – nesër mund ta shkel Dautin autobusi – por kjo mënyrë e të menduarit nuk do të zhduket kurrë më nga trojet tona. Natyrisht, asnjë punë në jetë nuk është pa rrezik. Sa më i madh të jetë rreziku – aq më i lartë do të jetë suksesi. Synimi ynë ka qenë që vetëm 2% e popullatës shqiptare ta pranojë këtë mënyrë të të menduarit (kjo është pika e masës kritike) dhe kjo është arritur për dy-tri vjet. Në fillim, në ligjëratat e mia fillonim me më të thjeshtën: më mirë është të mendosh mirë se të mendosh keq.
Më vonë kemi filluar me ligjet kryesore që e ndërtojnë jetën njerëzore, si, p.sh. të gjitha ligjet e jetës janë për të mirën e njeriut. Të kesh shëndet të përkryer, të kesh sukses, të kesh begati sa të duash, të kesh lumturi të plotë – këto janë të drejtat themelore të njeriut, sepse: secili njeri, me lindjen e tij e fiton të drejtën që të jetojë në mënyrën që e kënaq. Pra, këto janë gjendjet normale të jetës, kurse gjendjet abnormale janë: joshëndeti, varfëria, dështimet, fatkeqësia dhe mjerimi. Dhe merreni me mend: Të gjitha këto gjendje varen nga mënyra e të menduarit. Nuk po vazhdojë më gjatë me konstatimet e mrekullueshme që ia sjellin lumturinë njeriut, por po i përmbahem pyetjes suaj. Kjo mënyrë e të menduarit e ndihmon jetën e njeriut për sot, për këtu e për tash. Studentët dhe mërgimtarët tonë – ishin të parët që na dhanë mbështetje dhe falë tyre – ne mbijetuam deri më sot – pa asnjë donacion as nga të huajt e as nga vendorët.
Më pyeti njëherë një mik: si po të shkojnë punët? I thashë: shumë më mirë se që e meritojmë. Të nesërmen ma kishte dërguar një letër ku shkruante: Në këtë libër të shenjtë, faqe kaq, thuhet: “Zoti ua shumëzon sukseset atyre që bëjnë përpjekje për të bërë punë të mira, atyre që bëjnë punë të këqija as nuk ua zvogëlon as nuk ua shumëzon, por i dënon pikërisht për aq sa mëkatojnë, prandaj ju i keni punët më mirë se që e meritoni”. Ishte letër-mrekulli. Për tri vjet rresht sa e kam ligjëruar në fakultet lëndën: “Arti i mendimit pozitiv”, studentët më binin në qafë: pse kaq shumë e thekson kombëtaren, kur kjo literaturë e ka për bazë individin, madje secilin individ në planetin tokë? Asokohe pat filluar të përhapet bindja se është (edhe) turp ta theksosh kombëtaren. Këtu do të ndalem pak më shumë…
Në qoftë se do të jesh dikushi në jetën lineare, pra në jetën horizontale apo tokësore, atëherë, patjetër duhet të mbështetësh në vlerën e parë të gjinisë njerëzore që quhet: komb, atdhe… E kam përsëritur shpesh tregimin e mjekut me famë botërore, Hipokratit të pavdekshëm. Në kohën kur Hipokrati e shpalli betimin e famshëm ku thuhej se mjeku duhet ta ndihmojë pacientin që ka dhembje – qoftë të jetë mik apo armik…
Pikërisht në këtë kohë, Persia hyri në luftë me Greqinë. Mbreti i Persisë, kur e lexon Betimin e Hipokratit – ia shkruan një letër dhe i thotë: “Zotëri Hipokrat, ti ke thënë se mjeku duhet ta ndihmojë pacientin, që ka dhimbje, pa marrë parasysh a është mik apo armik… Ushtarët e mi të plagosur kanë dhimbje… Eja…” Hipokrati përgjigjet: “Po lartmadhëri, unë kam thënë atë që e thoni ju, por keni harruar diçka: unë para se të jem mjek – njëherë jam grek”. Nuk e di që mund të këtë gëzim, lumturi apo jetë njerëzore me vlerë – në qoftë se brenda asaj jete nuk gjendet zemra dhe shpirti i kombit. Prandaj, mua më dha fuqi përcaktimi im: njëherë kombi, pastaj të tjerat. Sepse kombi ynë e ka kryer shkollën e dhimbshme të vuajtjes.
Unë ia di historinë, ia di dhimbjen, ia di e ia njoh fuqinë. Në të gjitha anët kufizohemi me urrejtje të fqinjëve, sepse ata e dinë dhe e njohin fuqinë tonë, por (O, Zot!…) na vetë nuk i besojmë fuqisë tonë shpirtërore. E tash unë e kam një pyetje për ju: a ju ka ndodhë ndonjëherë ta urreni apo ta xhelozoni – Qyqanin? Kurrë. Ndaj mjerakut njerëzit ndjejnë dhembje e mëshirë, kurse ai që është më i mençur, më i zoti, më i fuqishëm se ti – eh, ndaj tij krijohet urrejtja e xhelozia deri në fobinë për ta zhdukur nga faqja e dheut – sepse është mëi miri se ti. Pra, edhe kjo ishte një ndihmesë e madhe, sepse njerëzit më të mirë që i ka Kosova e që vinin me shumë dashuri në qendër, më në fund e kuptuan se në rrafshim kombëtar po ndodh diçka e bukur…U bindën se mileniumi i tretë është i shqiptarëve, se të gjithë do të kthehen në vendet e tyre, madje edhe ata që u dynden nga Karpatet – në një të afërme do të nisen rrugës së kthimit, për atje ku e kanë tokën e tyre.
Ndihmesat e pengesat është për keqardhje, se institucionalisht (as nga “qeveria e Shqipërisë” e as nga “qeveria” jonë në ekzil), nuk jeni përkrahur në kohën e luftës, kur dolët me projektpropozimin për hapjen e një Qendre psikoterapeutike në Tiranë, por as pas saj (luftës), kur vërtet masa e traumatizuar nga pasojat e dhunës kishte nevojë për një trajtim të tillë. Ishte kjo injorancë, naivitet, diletantizëm etj., apo thjeshtë mungesë e dëshirës së pushtetarëve, kur dihet se çfarë pasojash të rrezikshme mund të sjellë sindromi posttraumatik? Daut Demaku: Të gjitha që thoni ju – ishin të pranishme. Nuk gjetëm përkrahje dhe si zogj me krahë të thyer – ulëm kokën. Shkrimtarët e vërtetë janë si nënat. Ku të ndien dhimbje fëmija – ndien dhimbje edhe nëna. E dhimbja kombëtare ishte tepër e acartë. Ju kujtohet mirë kur e bisedonim sindromin e luftës në Vietnam.
Një Amerikë, që i ka të gjitha themelatat dhe kushtet për rehabilitim, edhe sot, pas sa vjetësh – po i ndien pasojat postraumatike të asaj lufte. Shihni sot pasojat postraumatike të luftës së fundit. Në doktoraturën e një mikut tim, që ka pas për temë “vetëvrasjet”, kur e kam lexuar atëherë thuhej: shqiptarët zënë vendin e fundit me përqindje të vetëvrasjeve. Çka ndodhi pas luftës? Në Kosovë kanë ndodhur aq shumë vetëvrasje sa tash, sigurisht radhitemi në krye të tabelës klasifikuese. Duhet ta dimë të gjithë se kur një pjesëtar i kombit tonë vetëvritet – me vdekjen e tij – vdes edhe nga diçka e jona, e të gjithë ne të tjerëve.
Pushtetarëve as atëherë, as sot, kjo gjendje nuk ua prishë gjumin. Pse? Sepse të qenit në politikë i ka katër dimensione: E para: dëshira për pushtet; E dyta: dëshira për t’u dukur; E treta: dëshira për mirëqenie personale, dhe; E katërta: çështja kombëtare. Kjo e fundit është gjithmonë farsë, sa për t’i fituar votat. Pushtetari që ndërton karrierë mbi këto katër dimensione, ai nuk ndërton karrierë politike, por ndërton shëmtinë. Kur këto dimensione rrotullohen dhe e fundit del e para e të tjerat radhiten pas saj, atëherë pushtetari në politikë ndërton shenjtërinë. Nga historia e njerëzimit e dimë se pushtetarët që kanë vepruar sipas kësaj të dytës – populli i ka shpallë të shenjtë e disa prej tyre janë ngritur në rrafshin e profetit.
Ndiej dhimbje për pushtetarët që përpiqen të hanë çka hahet e çka nuk hahet e nuk e kthejnë polin tjetër që thotë: do të jetojmë mirë për veten tonë vetëm në qoftë se jetojmë me gjithë zemër – për të tjerët. Po të ndodhë kjo ndonjëherë, jam thellësisht i bindur se shqiptarët brenda një kohe të shkurtër do të bëhen popull më prestigj dhe i respektuar në botën demokratike. Nuk e di kur do të ndodhë kjo, por e di se këtë ua kemi borxh fëmijëve tonë dhe fëmijëve të fëmijëve tonë.