Karteli-Bushi, droga me vlerën e 10 milionë eurove

Në një punishte vetëm 100 metra larg rrugës nacionale, në fshatin Derven të Krujës, kultivuesit vijonin të qetë punën për përpunimin e kanabisit dhe përgatitjen e tij për shitje.
Mbrëmjen e dy ditëve më parë, pas një aksioni të koordinuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ u arrit kapja e një karteli droge, ku u arrestuan 11 persona. Bëhet fjalë për 1.3 tonë kanabis sativa, që ishte në proces tharjeje dhe do të përpunohej për t’u bërë gati për tregtim. Një video brenda magazinës së drogës tregon qartë mënyrën sesi ishin përshtatur ambientet e punishtes për të realizuar proceset e ndryshme për tharjen dhe përgatitjen e drogës.
Sistem tharje, me tela, rrjeta dhe tenda, ishin vendosur në lartësi të ndryshme të punishtes, për të mundësuar përgatitjen e kanabisit.
Gjatë aksionit, janë konstatuar dy ambiente që shërbenin për tharjen e lëndëve narkotike, një magazinë dhe një banesë e pabanuar. Në brendësi të tyre u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharje dhe një pjesë e përgatitur për shitje, siç sqarohet në deklaratën e Policisë së Durrësit. Sakaq, Policia e Durrësit ka publikuar emrat e të arrestuarve në operacion, sasinë e drogës, armët, fishekët, telefonat dhe automjetet që janë gjetur në vendngjarje.
Prokuroria për Krime të Rënda zbardh detaje të operacionit kundër kultivimit të kanabisit në Derven të Krujës, ku u arrestuan 11 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria ka nisur hetimet që në korrik të këtij viti pas informacioneve të dhëna nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Burimet thonë se, informacioni ka qenë i shoqëruar me fotografi konkrete të parcelave të mbjella me hashash dhe emrat e personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal. Gjatë kësaj kohe, thonë burimet, është hetuar me metoda speciale, ku janë evidentuar se parcelat e kanabisit të mbjella prej tyre nuk janë asgjësuar nga policia. Veç kësaj, hetuesit kanë provuar se pas korrjes së parcelave nga grupi tashmë i arrestuar, rrënjët janë vendosur në këtë magazinë që ndodhet në afërsi të rrugës nacionale Fush-Krujë-Thuman për të bërë procesin e tharjes. Me përfundimin e procesit të tharjes, thonë burimet, çdo ditë brenda kësaj magazine punonin rreth 30 gra të zonave përreth kundrejt 3000 lekë ditën, duke bërë procesin e ndarjes së boçeve dhe paketimin e saj. Sipas akuzës, arsyeja e ndërhyrjes ka qenë fakti se është transkriptuar një bisedë telefonike, ku njëri nga të arrestuarit kërkon që hashashi të zhvendoset nga magazina. Kjo ka bërë që Prokuroria për Krime të Rënda të kërkojë nga policia ndërhyrjen në këtë magazinë dhe në shtëpinë e njërit prej 11 të arrestuarve që ndodhet në Kodër të Dervenit, ku u gjetën në total dhe u sekuestruan një sasi prej rreth 1.3 tonë hashash. Burimet thonë se grupi hetimor, dyshon se sasia e drogës ka qenë më e madhe për shkak edhe të madhësisë së magazinës, por që është zhvendosur në një ambient tjetër, për të cilin po punohet për ta identifikuar.
Sipas Prokurorisë, 11 të arrestuarit do të hetohen për akuzat e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “kultivimit të bimëve narkotike”, si dhe vepra këto të kryera në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”. Pasi gjatë fazës hetimore është arritur të identifikohen rolet e të proceduarve, si organizatori, financuesi, transportuesi apo punëtoret dhe rojet e parcelave dhe më pas magazinës me armë, disa prej të cilëve janë sekuestruar.

Vlera e drogës

1.3 tonelatat e drogës të kapura në zonën e Dervenit kanë shkaktuar një goditje të fortë tek karteli Bushi i drogës që kontrollon pjesën më të madhe të sipërfaqeve të mbjella në zonën e Krujës. Për të bërë 1.3 tonë drogë të gatshme sikurse ajo që u kap në magazinën që ishte vetëm 100 metra larg nga rruga nacionale janë korrur dhjetëra hektarë të mbjellë me kanabis. Kjo nënkupton se shpenzimet për këto dhjetëra hektarë drogë kanë qenë shumë të mëdha. Nëse e gjitha sasia e kapur nga operacioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Shërbimit Informativ do të hidhej në treg, atëherë ky kartel droge do të mblidhte rreth 10 milionë euro. Madje, kjo me çmime të reduktuara, pasi në vende të ndryshme të Europës vlera mund të jetë edhe më e lartë. Zbulimi i bazës së drogës ka ardhur në momentin e duhur kur droga ishte në procesin e tharjes. Pasi ishte blerë nga zona të ndryshme të Krujës dhe Fushë-Krujës droga prej ditësh përpunohej në magazinën e kapur në operacionin e koordinuar mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Shërbimit Informativ. Sasia e drogës ishte aq e madhe sa droga nuk ndodhej vetëm në magazinën e raportuar. Drogë ka pasur edhe në një shtëpi tjetër, në atë që quhet Kodër Derven, e cila është në pronësi të njeriut të besuar të Bushit. Ka qenë ky personi, i cili koordinonte të gjithë procesin e magazinimit të drogës dhe procesin e tharjes. Personi është arrestuar gjatë operacionit dhe është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kush ishin të besuarit e Bushit

Një nga të arrestuarit me mbiemrin Rexhepi është personi, të cilit kryebashkiaku i Krujës i kishte besuar procesin e tharjes të drogës dhe përgatitjes për shitje. Ai ishte edhe organizatori i transportit. Ai kishte garanci të plotë në këtë aktivitet nga Bushi dhe rrjeti i tij në Policinë e Fushë-Krujës dhe të Krujës, të cilën e kontrollon tërësisht. Kjo është edhe arsyeja që shpjegon se përse trafikantët e kishin ngritur magazinën e drogës vetëm 100 metra larg rrugës nacionale. Një pjesë e madhe e policëve të Fushë-Krujës e dinin të gjithë se kjo ishte baza e drogës së Artur Bushit dhe ishin të pafuqishëm të ndërhynin. Nga ana tjetër, policia është pjesë e këtij aktiviteti kriminal në të gjithë zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, pasi policët në të gjitha parcelat janë aksionerë të aktivitetit, duke marrë përqindje për drogën e bllokuar. E gjithë policia në këtë zonë është nën kontrollin e plotë të kartelit Bushi të drogës, ndaj ata kurrsesi nuk mund të ndërhynin pa pasur një vendim të prerë nga shërbimet e sigurisë si Shërbimi Informativ dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kush janë 11 të arrestuarit?

Policia i tha fund heshtjes për operacionin e organizuar në fshatin Derven të Krujës, ku u arrestuan 11 persona. 1.3 tonë kanabis që u gjetën në proces tharjeje në magazinat e kompanive të mobilerive. 6 armë zjarri, fishekë, automjete dhe telefona celularë u sekuestruan.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit të gjitha strukturat kanë marrë pjesë në operacionin për kapjen e drogës. Aty kanë qenë “Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, forcat e Komisariatit të Policisë Krujë, Forca e Posaçme Operacione në Drejtorinë e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Ambientet ishin një magazinë dhe një banesë e pabanuar, në brendësi të të cilave u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharjeje dhe një pjesë e përgatitur për shitje.
Janë arrestuar në flagrancë shtetasit e mëposhtëm:
1. Erjon Vathi, 27 vjeç, banues në Derven, Krujë;
2. Ferit Sula, 45 vjeç, lindur në Burrel;
3. Ali Kuçi, 19 vjeç, banues në Milot;
4. E.N. 16 vjeç, banues në Derven, Krujë;
5. Besmir Vathi, 18 vjeç, banues në Derven, Krujë;
6. Erald Bardhoku, 29 vjeç, banues në Derven, Krujë;
7. Kujtim (Valentin) Rexhepi (Smykalova), 48 vjeç, banues në Fushë-Krujë;
8. Gazmir Gjokea, 29 vjeç, banues në Derven, Krujë;
9. Nilson Gega, 26 vjeç, banues në Derven, Krujë;
10. Gjovalin Gjokea, 47 vjeç, banues në Derven, Krujë;
11. Aurel Gjokea, 22 vjeç, banues në Derven, Krujë.
Gjatë kontrolle të kryera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• 1.3 tonë lëndë narkotike cannabis sattiva;
• 2 armë zjarri pistoletë, tip “Makarovë”;
• Një armë zjarri tip “TT”;
• 2 armë zjarri automatik;
• Një kallashnikov;
• 130 fishekë automatiku dhe 11 pistolete;
• Një automjet “Audi” – Q 7 me targa AA 066 LD;
• Një kamionçinë tip “Iveko” me targa AA 216 DD;
• Një  furgon me targa AA 057 GL;
• Një “Sharoon” me targa AA 762 DH;
• Një makinë “Ford Fokus” me targa AA 126 FL;
• Një autoveturë tip “BMW” me targa AA 747 OL;
• Telefona celularë.

Arben SHAHINI

Exit mobile version