Sekreti i operacionit antidrogë

Flamur NOKA

Mbrëmë (të martën), teksa Edi Rama mohonte drogën në emisionin “Studio e Hapur”, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Inteligjent, kapën 1.3 tonë kanabis në Krujë, në territorin e Artur Bushit.
Ndërkohë që fut në kazanin e tij mediat më të rëndësishme të botës që flasin për këtë çështje, Prokuroria dhe Shërbimi Inteligjent, për të kapur drogën në Krujë, ashtu si edhe 23 tonët në Vlorë, duhet patjetër të shmangin Edi Ramën.
Nëse Edi Rama ka dijeni për aksionin, droga shpëton, trafikantët shpëtojnë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Inteligjent kapin drogë, Antimafia italine ka ngritur alarmin, media ndërkombëtare raporton për rrezikun e kanabisit shqiptar, 8 vrasje kanë ndodhur këto 3 muaj për drogën, droga ka zbritur në shkollat e vendit, sipërfaqja e mbjellë është pesëfishuar sipas Guardia di Finanza, kapanonet e përpunimit të hashashit kanë pushtuar malet, helikopterët e Mimit zbulojnë parcelat pa dashje, e përsëri Edi Rama thotë s’ka drogë.
Vetëm dy vetë në Shqipëri dhe në mbarë globin e mohojnë drogën. Këta janë Edi Rama dhe Saimir Tahiri.
Askush nuk pret që Edi Rama e Saimir Tahiri të pranojnë drogën, sepse ata e drejtojnë, e menaxhojnë, këtë biznes kriminal, që po sjell vrasje, shkatërrim të rinisë, helmim të shkollave e fëmijëve tanë, që po sjell destabilizim të shoqërisë.
Droga vazhdon çdo ditë, sepse droga krijon fondin e qindra milionë eurove që Edi Ramës i duhet për të mbajtur pushtetin, për të blerë votat.
Edi Rama po kërkon të fusë me dhunë drogën në ambientin tonë, në çdo familje shqiptare, sepse është e vetmja alternativë që ka.
Po shqiptarët s’mund ta pranojnë.
Është në dorën e shqiptarëve të mbrojnë familjet dhe të ardhmen e tyre nga ky rrënim.
Është në dorën e shqiptarëve ta pastrojnë vendin nga droga.
Shqipëria pa drogë, është Shqipëria pa Edi Ramën.

Exit mobile version