Kauza ishte dhe është e drejtë!

Nga Ermal Peçi

Kauza ishte e drejtë. Ishte e drejtë sepse kërkonte ringritjen e një opozite që nuk mban peng vendin, që nuk lufton për mbijetesën personale të një lideri, por për dinjitetin e votuesve të saj. Ishte e drejtë sepse synonte t’i jepte fund teatrit të trukuar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, ku kundërshtarët e shpallur janë në të vërtetë bashkëpunëtorët më të heshtur.

Por ndonëse ishte e drejtë, ajo kauzë nuk arriti të bëhej shumicë, jo për fajin e atyre që e nisën, por për peshën e trashëguar të një sistemi të kalbur. Koalicioni Euroatlantik pësoi një humbje numerike, por jo një disfatë morale. Votat për të ishin vota të guximshme, vota qytetarësh që donin të dilnin nga kutia e manipulimit emocional. Ishin vota që guxuan të dalin kundër jo vetëm pushtetit, por edhe opozitës së rreme.

Që në fillim, ky proces u përball me një rezistencë brutale nga sistemi politik, mediatik dhe oligarkik. Basha dhe Koalicioni Euroatlantik ishin më të goditurit, jo vetëm nga propaganda qeveritare, por edhe nga makineria e vjetër e opozitës, që përçmon çdo ndryshim që nuk buron prej saj. U bënë objekt i sulmeve të orkestruara, shpifjeve të koordinuara dhe një bllokade të heshtur në çdo kanal ku mund të dilte një zë ndryshe.

Ky proces nuk nisi rastësisht. Ai mori formë në momentin kur Lulzim Basha mori një vendim të vështirë, por të drejtë: përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga aleatët tanë më të ngushtë. Në atë kohë, shumëkush e quajti atë akt vetëvrasës politik, por koha e ka vërtetuar se ishte një çarje e domosdoshme në sistemin e mbyllur – një çarje që lejoi të futej ujë i pastër në kënetën politike shqiptare.

Në fund, Edi Rama nuk i mundi dot ata demokratë që votuan për Koalicionin Euroatlantik, por i mundi me skemë. Duke e kthyer vulën në armë politike, ai ndihmoi Berishën më shumë se çdo socialist në këto zgjedhje. Rama zgjodhi kundërshtarin e tij ideal, atë që e ka mundur një herë, atë që i jep justifikim për të qëndruar më gjatë në pushtet: Sali Berishën. Me një vendim të parapërgatitur, i dhuroi vulën një force që është në betejë me kohën, me drejtësinë dhe me veten. Jo sepse beson në ringjalljen e saj, por sepse e di që për sa kohë Berisha është aty, ai vetë nuk ka asnjë rrezik real.

Sot jemi në një realitet politik ku Berisha mori vulën, por humbi popullin. Humbja e tij ishte e thellë, jo vetëm në shifra, por në simbolikë. Ai nuk frymëzoi dot. Nuk ringriti dot shpresën. Sepse është pjesë e së shkuarës, një kujtim i ashpër që shumica e votuesve duan ta lënë pas.

Tani është koha për t’u bërë një pyetje themelore: çfarë ndodh me votat e djathta që nuk duan as Ramën, as Berishën? Çfarë do të ndodhë me 20 mijë vota të djathta që përfaqësojnë Koalicionin Euroatlantik? Ku shkojnë ato zëra që kërkuan ndryshim por nuk e gjetën në formatin e vjetër të përplasjes politike?

Këto vota nuk janë as pa adresë, as pa vizion. Ato kërkojnë një alternativë që nuk bazohet te hakmarrja, por te rindërtimi. Kërkojnë një forcë që nuk ushqehet me nostalgji për ’90-tën, as me propagandë për rilindjen socialiste. Kërkojnë drejtësi që nuk përdoret për shantazh politik, dhe shtet që nuk ndahet si plaçkë mes partish.

Berisha është kthyer në simbol të një epoke që nuk frymëzon më, ndërsa Rama në simbol të një pushteti që përpiqet të blejë kohë përmes intrigës.

Kauza ishte e drejtë. Humbja është e përkohshme. Por shpresa mund të rifitohet – me guxim, me drejtësi dhe me një vizion që flet gjuhën e së nesërmes. Sepse ka ardhur koha që votat e braktisura, që nuk duan as Berishën dhe as Ramën, të bëhen zëri i një shoqërie që nuk pranon më as hijet e së shkuarës, as arrogancën e së tashmes. Ka ardhur koha për një politikë që i përket qytetarit, jo pushtetarëve.

Exit mobile version