
Nëse doni të dini se cili është kazani që na qeverisi për katër vite mjafton të dëgjoni në këto ditë replikat mes Ramës dhe Metës për të kuptuar se deri ku ka degraduar shteti shqiptar, por edhe për të gjetur përgjigjen e pyetjes së përse sot 56 për qind e popullsisë së këtij mendon largimin nga Shqipëria.
Asnjëherë më shumë se sot Rama dhe Meta nuk kanë qenë të vërtetë. Ata duhen dëgjuar dhe duhen besuar për ato që po nxjerrin nga goja, sepse ja dinë mirë njëri-tjetrit historitë e korrupsionit. Ata po i shpalosin tani të gjitha të tregun e fushatës me mendimin se mund të pastrohen për të marrë më shumë vota. Ajo që duhet të kuptohet është rënia e demokracisë në vend dhe shndërrimi në një bandë hajdutësh që kanë zhvatur shqiptarët me se kanë mundur.
Më i ashpër në akuza është Rama, sepse edhe pesha e Ramës në grabitje dhe korrupsion ka qenë absolutisht më e madhe, duke nisur nga shndërrimi i vendit në narko-republikë deri tek zhvatje masive e shqiptarëve përmes koncesioneve. Ndërsa akuzat e Ramës ndaj Metës shtrihen tek korrupsioni administrativ i të emëruarve të Metës.
Këto akuza janë vetëm fillimi i një lufte, të cilës nuk i dihet fundi. Mos duket rastësi se pas këtyre akuzave të rënda për zhvatjen e shqiptarëve të arrihet edhe pazari i Ramës i ngjalave në funksion të vazhdimit të grabitjes së mëtejshme të shqiptarëve edhe për vitet e ardhshme. Ndaj është e rëndësishme dhe duhet kuptuar nga kushdo se e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin është votimi në mënyrë masive i alternativës së opozitës së bashkuar me siglën e PD.
Edi Rama dhe Ilir Meta po pranojnë publikisht se në katër vitet e bashkëqeverisjes së tyre kanë keqqeverisur shqiptarët. Rama pranon se, premtimet nuk u mbajtën, se paratë u vodhën, se korrupsioni bëri kërdinë, shqiptarët u varfëruan e se për të gjitha këto përgjegjësinë e ka gjysma e keqe e qeverisë, LSI. Nga ana tjetër, Meta pranon se për katër vite, pushteti degradoi për shkak të lidhjeve të forta të Ramës me krimin, me drogën dhe aferave të grupit të oligarkëve në oborrin kryeministror. Në kulmin e fushatës elektorale, një aksion i fortë publik akuzash e kundërakuzash për lidhje me krimin, drogën, vjedhje, korrupsion e afera mes Ramës dhe Metës po dëshmon degradimin e Rilindjes, duke sjellë para shqiptarëve panoramën e qartë se, nga kush janë qeverisur në katër vite. Fushata që do të duhej të sillte përballjen e programeve dhe objektivave për qeverisjen e ardhshme është shndërruar për kampin e majtë në fushëbetejë mes dy protagonistëve Rama-Meta, të cilët po akuzojnë njëri-tjetrin se kush vodhi më shumë në katër vitet e qeverisjes së tyre apo kush i kishte lidhjet më të forta me krimin e drogën. Përplasja mes të dyve tregon qartë prishjen e pazareve dhe interesave mes dy drejtuesve të PS dhe LSI. Pas kësaj, të dyja palët u pozicionuan në këndin e sulmit. “Shushunja duhet shtypur”, u shpreh Rama nga Elbasani pak ditë më parë. Duke e konsideruar Metën si një shushunjë që thith gjak gjithandej e ku të mundë, Rama po u bën thirrje përditë shqiptarëve të kenë kujdes, të mos votojnë LSI, ndërsa e ka cilësuar atë si një parti që merr pushtet, por nuk mban asnjë përgjegjësi. “Pushtet merr, përgjegjësi s’mban, por na bën edhe kritikuesin me shantazhe”, është shprehur Rama në drejtim të LSI. Dje, Ilir Meta në një dalje urgjente për mediat kërcënoi Ramën me mosdekretimin e qeverisë së re, në rast se zgjedhjet do të vidheshin në favor të ngjitjes së PS për një mandat të dytë qeverisës. Acarimi i Metës lexohej qartë, që në lajmërimin që iu bë mediave për konferencën për shtyp, ku dalja e tij u cilësua si e menjëhershme. Urgjenca qëndronte pikërisht në paralajmërimin ndaj Ramës se, në rast se këto zgjedhje prodhojnë Ramën fitues ai nuk do të dekretojë atë si kryeministër bashkë me kabinetin e tij qeveritar. Ilir Meta akuzoi ashpër Ramën e njerëzit e tij më besnikë për manipulimin e zgjedhjeve përmes segmenteve kriminalë të lidhur me drogën. “Po u imponohen shqiptarëve përmes fiksimeve qesharake, të turpshme, përmes manipulimeve, përmes keqpërdorimit të policisë, që ende drejtohet nga një ndër përgjegjësit kryesorë të ndërmarrjes së drogës, që turpëroi të gjithë Shqipërinë dhe kriminalizoi të gjithë vendin, i cili qëndron aty vetëm si rezultat i shkëmbimit që është bërë në kurriz të standardit të zgjedhjeve, të drejtorit të OSHEE-së me atë të Policisë së Shtetit”, tha Meta. Ai iu drejtua Ramës në mënyrë direkte, ndërsa e paralajmëroi se në rast të fitores së PS, ai nuk do të dekretonte Ramën për kryeministër e as kabinetin e tij qeveritar. “Unë po paralajmëroj dhe po lajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet, mbi votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që nuk do të ketë dekret as për kryeministër as për ministër. I ka marrë Edi Rama mesazhet, po ja them dhe të tjerëve që janë ministra, që kanë qenë ministra, që duan të bëhen ministra”, u shpreh Meta. Dalja e Metës ka sjellë reagimin e Ramës, i cili përmes një mesazhi u ka kërkuar drejtuesve të fushatës nëpër qarqe të ndalojnë deklaratat për LSI në mënyrë të menjëhershme dhe të bëhet çmos që LSI të zhduket nga shkalla e partisë së tretë në klasën politike në vend. Porosia ka qenë e qartë: “Nuk dua të merreni më me LSI-në”, u ka thënë Rama drejtuesve të PS që po zhvillojnë fushatën nëpër qarqe. “Ju lutem, nuk duhet të kemi më lajme për LSI-në! E sotmja ishte një ditë për t’u dhënë të gjithëve mesazhin, se LSI nuk ka më shanse të bëjë të tretin të vërtetin, në mënyrë që ju të gjithë ta përdorni këtë në fushatën mikro, me organizim kapilar për të kthyer njerëzit që rrinë me LSI për interes jo për bindje!
Akuzat e Metës
• Përgjegjësinë për drogën duhet ta mbajë Rama, nuk mund ta mbajë LSI-ja, sepse zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë një zgjedhje e tij personale. Përgjegjësinë për çështjen e drogës e ka Rama dhe askush tjetër dhe LSI-ja nuk ka asnjë lidhje.
• Përgjegjësinë për futjen e shumë elementeve me rekorde kriminale në parlament e ka vetëm Rama
• Koncesionet e Ramës janë një tmerr, janë një çmenduri. E mbushi vendin me koncesione. Për koncesionet? Nuk mund të jepen koncesionet fshehurazi, të jepen burimet natyrore të Shqipërisë fshehurazi, të jepen miliarda euro fshehurazi.
• Edi Rama nuk i jepte Panaritit fonde për bujqësinë. 1/5 e fondeve të Kosovë ka marrë bujqësia nga Edi Rama, 1/10 e fondeve të Maqedonisë ka marrë bujqësia nga Edi Rama. Fajin e ka Edi Rama dhe përgjigjen do ta marrësh në 25 qershor. Kemi një arrogancë, papërgjeshmëri totale dhe kemi politikanë të llastuar.
• LSI-ja mund të marrë përgjegjësi pse i votoi Ramës “Crown Agent’s” në në një mënyrë jo shumë të ndershme, për arsye se do të duhej të ishte shpallur një garë, por e votoi, sepse mori garanci, besoi Ramën që do të bënte mrekulli me doganat. Kjo gjë dështoi.
• Ai do të një shumicë për veten që ta miratojë ligjin e mbetjeve pa e penguar LSI-ja, mos të miratojë kurrë ligjin e koncesioneve, t’i japi si të dojë, të bëjë ç’të dojë me reformën në arsim.
• Drejtimi i timonit të vjetër ka bërë që shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Erdhi fundi i kartelit të kanabisit, për të mbajtur karriget e shushunjave dhe të koncesioneve. Njerëzit duan të ikin nga Shqipëria, sepse një kokë e çmendur të gjithë po i çmend.
• Kush pi doping mendon se është më i fortë, por zgjedhjet do tregojnë tjetër rezultat,
• Kush i hoqi gjitha ato gra për të çuar në parlament njerëz që i hapën Shqipërisë probleme të jashtëzakonshme. Në krye të grupit të punës në Berat ka ardhur një kumarxhi dhe përdor segmente të caktuara të policisë në Berat për t’i bërë presion qytetarëve.
Akuzat e Ramës për Metën
• Është një shushunjë që thith gjak gjithandej ku mundet
• Policia gri është një bandë grabitësish që do ti shkarkoj
• Është krijuar një sistem që një parti hyn në zyrat e shtetit dhe një parti merr drejtoritë, një parti merr patentat, një parti merr hipotekat. Nëse nuk i japim fund në 25 qershor kësaj historie të shëmtuar, kësaj historie shushunjash që ushqehen me gjakun e njerëzve që kthehet në votë, do ta kemi të pamundur, prandaj në 25 qershor duhet të shkoni në votime
• Nuk mund të bëhet shteti një strehë vorfnore që rrogat e shtetit të përdoren për t’u dhënë njerëzve bukë në këmbim të aktivitetit partiak. Kjo është e pamundur. Shqiptarët nuk mund të ndahen më në copa,
• Unë jam dëshmitar dhe kam kyçur gojën kur gratë socialiste hiqeshin nga puna nga partnerët tanë në koalicion, që i shantazhonin për të ndërruar parti. Kam kyçur gojën për hir të reformave të mëdha. Mirëpo kjo histori duhet të marrë fund më 25 qershor…
• LSI kërkon që një dorë ta mbajë në timon dhe një tjetër ta ketë të lirë të akuzojë sa herë vjen radha për të ndarë pushtetin duke akuzuar partinë e madhe.
• Të gjitha partitë e vogla këtë punë kanë bërë dhe këtë punë duan të bëjnë. Duan një, dy, tre vota, 5 kartonë që të vijnë e të bëjnë pazar për të punësuar njerëz të partisë.
• Unë kam qenë deri në fund për koalicionet. LSI-ja ka qenë e ngurtë për këtë në raport me këtë nevojë. Pastaj ka krijuar një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën.
Luan Rama
• Rama në krye të korrupsionit, drogës dhe krimit
• Sistemi i korruptuar është sepse ishte Edi Rama në krye të sistemit. Sistemi i droguar është, sepse ishte Rama në krye të sistemit. Sistemi është i inkriminuar, sepse ishte Edi Rama në krye të sistemit. Kryetari i Rilindjes nuk është për reforma, por për Rama- Reforma. 840 mijë euro është shpenzimi për transmetimin live të fjalimeve të tij.
• Natyrisht që ka edhe njerëz të korruptuar apo nga ata që meritojnë të ndëshkohen ligjërisht, por ka dhe disa policë gri dhe blu që janë ndëshkuar ligjërisht si bashkëpunëtorë në kanabizimin e vendit, në krijimin e një harte të tërë kultivimi të kanabisit në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë nuk mbaka përgjegjësi, kryetari i Rilindjes?!
• Atje ku drejton ai nuk paska shushunja, por gjetiu. Po në sistemin tatimor dhe doganor, ku doganierët e manipuluar hapin dhe mbyllin traun? Sistemi është e vërtetë që ka probleme, është i korruptuar sepse në krye të tij ka qenë kryetari i Rilindjes; është i trafikuar dhe kanabizuar, sepse në krye të tij ka qenë kryetari i Rilindjes; ka qenë i inkriminuar, sepse ka qenë në krye të tij kryetari i Rilindjes.
Monika Kryemadhi
• “Kam dëgjuar Edi Ramën që do timonin. Do të jetë shofer i vetëm. Por ai harron se autobusi është i LSI-së, dhe vetëm koka e marshit ka për t’i ngelur”.
Saimir Tahiri
• LSI meriton të shkarkohet nga çdo përgjegjësi qeverisëse
• Që të dali sot LSI-ja e t’i bëjë PS-së gjyqin pas katër vjetësh që vetëm ka fituar në imazh nga aleanca me PS-në dhe s’ka dhënë absolutisht asnjë vlerë të shtuar në qeverisje përveç votave për reformat në Parlament, kjo është të vesh duart në kokë, dhe është pak!
• Se çfarë kërkon akoma Ilir Meta dhe partia e tij familjare nga Partia Socialiste, që e lau, e shplau, e thau, e hekurosi, e bëri edhe kryetar shteti, këtë nuk ka njeri të arsyeshëm që e shpjegon dot.
• Se me çfarë morali, logjike, kurajoje apo thjesht llogarie, Ilir Meta është rishfaqur si prijës i një lukunie të tërbuar që vetëm shan PS-në, këtë nuk e gjen dot askush që ka një sens njerëzor, qytetar apo politik. Por një gjë është e sigurtë sidoqoftë: LSI e meriton plotësisht të shkarkohet nga çdo përgjegjësi qeverisëse.