Keita Balde me çdo kusht në janar

Milan nis ofensivën për goditjen e madhe të merkatos së dimrit. Klubi kuqezi ka shënjestruar sulmuesin senegalez të Lazios, Keita Balde dhe e dëshiron me çdo kusht që në muajin janar. Sipas “Corriere dello Sport”, Keita që ka një kontratë deri në vitin 2018 nuk dëshiron të rinovojë me bardhekaltërit dhe Milani synon të përfitojë nga kjo situatë duke bërë gati ofertën për presidentin Claudio Lotito. Oferta është e thjeshtë, huazim me detyrim blerjeje për 20 milionë euro në fund të sezonit edhe pse shoqëria kryeqytetase kërkon të arkëtojë 10 milionë më shumë. Montella e dëshiron sulmuesin afrikan me çdo kusht pasi Niang nuk ofron siguri dhe Galliani është gati të bëjë gjithçka për t’ia plotësuar dëshirën trajnerit.
Është pikërisht Niang që mund të largohet në merkaton e janarit dhe largimi i tij do të krijonte mundësinë e afrimit të Keita në një periudhë të shkurtër. Një tjetër emër për sulmin e Montellas është edhe sulmuesi spanjoll i Evertonit, Gerard Deulofeu, por bisedimet janë ende në një pikë të ngrirë. Përveç sulmuesit Suso, një tjetër emër që do të vazhdojë të bëjë pjesë në projektin e Milanit të paktën deri në fund të sezonit është edhe kolumbiani Carlos Bacca. Bomberi kuqezi ka bërë me dije se dëshiron të vazhdojë aventurën italiane, ndërsa në mesfushë, objektivi kryesor është Milan Badelj, i cili mund të transferohet në Milanello vetëm me formulën e huazimit pasi arka e kuqezinjve për momentin nuk ofron garanci financiare.
Ndërkohë, Mauro Icardi ka deklaruar se Interi mund ta arrijë vendin e tretë në klasifikimin e Serisë A, vend që do i siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm. “Ngjitja në klasifikim është e mundur. Nuk e thotë vetëm ambicia e shoqërisë, por edhe ecuria e skuadrës në muajin dhjetor”, deklaroi sulmuesi argjentinas në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
Icardi thotë se Interi ndryshoi për mirë me ardhjen në pankinë të Stefano Piolit. “Ndryshoi mentalitetin e Interit, ktheu besimin te lojtarët, edhe te ata që luanin pak me De Boerin. Punoi shumë në aspektin psikologjik”, tregon kapiteni, i cili nuk i kurseu kritikat për trajnerin holandez me të cilin zikaltërit nisën sezonin. “Situata ishte bërë e padurueshme. Ata që nuk luanin shumë ishin të pakënaqur dhe nuk merrnin pjesë edhe në festimet e golave. Me Piolin ka ndryshuar atmosfera”, shprehet Icardi.

Exit mobile version