Konte nuk shqetësohet

102 ditë pas humbjes kundër Arsenalit, Chelsea i Antonio Kontes bie në “White Art Lane” kundër Tottenham falë dygolëshit të Dele Ali duke frenuar ecurinë pozitive të Bluve të Londrës, të cilët numëronin 13 fitore radhazi në Premier League. Pavarësisht kësaj, Chelsea pozicionohet në vendin e parë të tabelës së klasifikimit me 5 pikë distancë ndaj Liverpoolit ndjekës.
Humbja nuk e ka shqetësuar aspak teknikun italian, i cili shprehet se është i kënaqur me paraqitjet që kanë bërë futbollistët.
“Duhet të jemi të kënaqur me paraqitjet që kemi bërë deri më tani. 13 fitore radhazi në një kampionat si Premier League nuk është një mision i thjeshtë, pasi të gjithë e dimë që këtu rivaliteti është i madh. Gara është e gjatë. Tani nuk na ngelet gjë tjetër veçse të mendojmë për takimin e radhës”, u shpreh Konte.
Ish-trajneri i kombëtares italiane deklaroi se Chelsea këtë sezon është një skuadër akoma dhe më e fortë nga ai i vitit të kaluar, këtë fakt e vërteton dhe kreu i tabelës së klasifikimit. Sipas Kontes ky fakt ndoshta bezdis dikë dhe me doza ironie ai shtoi se dëshira e Bluve të Londrës është të vazhdojnë të sjellin bezdi.
“Askush nuk e mendonte që këtë sezon ne do të ishim në vendin e parë dhe është normale që ky fakt ndoshta shqetëson dikë. Dëshira jonë është që ky shqetësim të vazhdojë deri në fund të kësaj gare”.
Përsa i përket merkatos, Konte u shpreh se nëse do të ekzistojë mundësia padiskutim që klubi anglez do të realizojë ndonjë transferim. Në rast të kundërt vëmendja do të jetë tek akademia e klubit, ku do të vëzhgohen talentet e rinj.
“Është e vështirë të realizosh goditje në merkato gjatë muajit janar, pasi asnjë skuadër nuk dëshiron të humbasë futbollistë në mes të sezonit. Sigurisht që ne do të tentojmë, nëse do të ekzistojë mundësia, do të realizojmë blerje. Nëse s’do të ketë do t’ia dalë me grupin e futbollistëve që kam, ndoshta edhe me ndonjë element cilësor nga akademia e të rinjve”, përfundoi Konte.
Pas 13 fitoreve radhazi, Chelsea i Antonio Kontes u ndal, në sfidën që ndoshta më pak do të kishte dëshiruar, ndaj Tottenhamit në derbi. Kryesuesit e Premier League nuk arritën të barazojnë rekordin e Arsenalit duke u mundur 2-0 në “White Hart Lane”. Erikssen dhe Dele Ali ishin dy yjet e “gjelave”, i pari me dy asist dhe i dyti me dy gola, që rikthyen në garën për titullin ekipin vendas. Nga formacionet fillestare megjithatë pritej që Chelsea të ishte më kërkues, por loja e kujdesshme e Tottenham bëri që asnjë prej dy ekipeve të mos godiste portën deri në minutën e 47-të të pjesës së parë, kur Erikssen gjeti pasimin e duhur për Alin, që i vendosur në vendin e duhur mposhti pa shumë probleme Cortois.
Goli i disavantazhit bëri që Chelsea të niste vrullshëm pjesën e dytë, por Blutë e Londrës u treguan të pasaktë përpara porte, ndërsa Tottenham në krahun tjetër gjeti sërish frymëzim te dyshja Erikssen-Ali, me këtë të fundit që shtyu sërish për në rrjetë me kokë, golin e 2-0.
Përpjekjet e Chelsea-t për të rihapur takimin rezultuan të kota, pasi Tottenham ruajti fitoren deri në fund duke u rikthyer jo vetëm vetë në garë për titullin, por dhe duke i bërë një nder ekipeve të tjera të Premier League.

Exit mobile version