Këlni e konfirmon

“Në verë do të mbetesha i papunë”. Fraza e thënë nga Mërgim Mavraj pas firmës së hedhur në kontratën me Hamburgun, nuk ka qenë thjesht një batutë e lëshuar nga futbollisti, i cili njihet për humorin e tij. Fillimisht mendohej se, Mavraj kishte bërë këtë deklaratë për faktin se kontrata e tij me Këln përfundonte në fundin e qershorit. Por në fakt, ai i referohej faktit se me klubin e mëparshëm ishte vendosur që nuk do të kishte rinovim të marrëveshjes dhe për këtë arsye, largimi i tij nga Këlni ishte më se logjik që në janar, pasi kështu të gjitha palët dilnin të fituara.
Mediat gjermane raportojnë, se që në fillim të bisedimeve mes palëve për një rinovim të mundshëm, Mavraj dhe Këln nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe për këtë arsye, klubi kishte kërkuar një zëvendësues të mundshëm për të. I pyetur rreth fjalëve të Mavrajt, drejtori sportiv i Këlnit, Jorg Shmadtke, konfirmoi gjithçka.
“Ky është një interpretim i pranueshëm”, tha ai rreth pretendimeve të lojtarit që do të mbetej i papunë në verë. Mavraj kishte kërkuar një rrogë më të lartë dhe një kontratë afatgjatë, ndërsa Këln kishte ide të tjera. Ndaj për Mavrajn nuk ishte e vështirë që të pranonte ofertën e Hamburgut, ku do të qëndrojë deri në qershorin e vitit 2019 dhe ku rroga do t’i trefishohet.
Mërgim Mavraj në garë për formacionin më të mirë të fazës së parë në Bundesligë. Mbrojtësi shqiptar është përzgjedhur nga faqja zyrtare e Bundesligës ku do të votohet për 11-en më të mirë të fazës së parë pas paraqitjeve pozitive me fanellën e skuadrës së Këlnit. 30-vjeçari shqiptar garon me mbrojtësit Sokratis të Borussia Dortmund, Mats Hummels e Jerome Boateng të Bayernit të Mynihut, Willi Orban të Leipzig dhe Jesus Vallejo i Eintracht Frankfurtit. Sipas njoftimit të publikuar në faqen bundesliga.de, votimi do të jetë i hapur deri në datën 31 janar.
“Pas paraqitjes pozitive në Euro 2016 me Shqipërinë, Mërgim Mavraj dhuroi të njëjtën performancë edhe me fanellën e Këlnit në fazën e parë. Mbrojtësi shqiptar nuk ka munguar asnjë minutë gjatë pjesës së parë të sezonit, ndërsa ka arritur të fitojë plot 58% të dueleve direkte dhe ky është një rekord në Bundesliga. Gjithashtu, ai ka gabuar vetëm në 13% të pasimeve”, shkruan faqja e kampionatit gjerman që veçon performancën e 30-vjeçarit shqiptar si një nga më të mirat në të gjitha fazat mbrojtëse të skuadrave pjesëmarrëse në Bundesliga.

Exit mobile version