Kërcënim me vendin e punës

Nga Elona CASLLI

Nuk e kam provuar kërcënimin me vendin e punës dhe do të ishte hipokrizi të shprehesha për diçka që nuk e kam provuar. Ama di të them këtë, që përballë poshtërsisë, arrogancës dhe dhunës së këtij pushteti kujtdo vetja i duket një hiç dhe krejt i pafuqishëm.

E mbrapshta në këtë vend, ka filluar që në çastin që partia siguron vendin e punës në administratën shtetërore. Për të pasur një raport të drejtë me të vërtetën, ky proces është zbatuar nga të gjitha partitë në vend dhe administrata shtetërore është kthyer në një gropë septike ku bëhen qokat e partisë.

Nëse rekrutimi i punonjësve në administratën shtetërore do të ish bërë falë meritokracisë, atëherë çdo punonjës i administratës, do të shprehte lirisht mendimin e tij pa pasur frikë se vëzhgohet sistematikisht në rrjete sociale, pasi do të respektoheshin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Të rekrutuarit partiakë në administratën shtetërore, janë jo vetëm kategoria më e paaftë, por njëkohësisht edhe më arrogantja. Pse ndodh kjo?! Kjo ndodh për arsyen e thjeshtë, sepse pasaporta e partisë konsiderohet si autoritet i padiskutueshëm dhe me këtë pasaportë mund t’i bësh presion një vartësi duke e kërcënuar me vendin e punës, pasi Partia ka gjithmonë të drejtë.

Në administratën shtetërore ka edhe individë që nuk janë rekrutime partiake dhe nuk pajtohen me këtë pushtet, por shumica e tyre janë të heshtur falë individëve që kanë mbi krye dhe që ushtrojnë presionin e tyre partiak.

Administrata është fytyra e një shteti dhe specialistët në administrate duhet të përzgjidhen falë aftësisë dhe jo falë bindjeve partiake.

A do të vija dita që në këtë vend të zbatohet Meritokracia?!

Post Scriptum- Kjo pyetje mbetet pezull…

Artikulli paraprakShqipëria drejt diktaturës/ Ligji që i jep Ramës edhe kompetencat e Presidentit
Artikulli tjetërVIDEO/ Putin i sëmurë rëndë me Parkinson, pritet të largohet nga politika në janar