Kërkesa e turizmit: Zgjedhjet në tetor 2017

“Zgjedhjet e 2017-ës të mbahen në muajin tetor si periudha që do të jepte më pak ndikim negativ në turizëm e për rrjedhojë në ekonomi”. Ky është propozimi që vjen nga Shoqata e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) që i është dërguar edhe Presidentit të Republikës përmes një letre.
“Nisur nga përvoja ndër vite, mund të themi se çdo vit zgjedhor rezulton të jetë më i dobëti në performancën e turizmit. Ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, Banka e Shqipërisë apo edhe të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit. Duke qenë se aktiviteti turistik në Shqipëri është i përqendruar kryesisht gjatë muajve të verës, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare apo edhe atyre lokale, në periudhën e kulmit të sezonit turistik, jep një ndikim të madh negativ në sektorin e turizmit në veçanti dhe në ekonominë e vendit në tërësi. Për sa sipër, referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 65 dhe neni 92/gj, si dhe në bazë të Ligjit Nr. 10009, datë 29.12.08 ‘Kodi Zgjedhor i RSH’, i ndryshuar, neni 8, duke qenë se ekziston hapësira për të vendosur datën e zgjedhjeve në një nga periudhat e lejuara sipas këtij ligji, lutemi të vlerësoni mundësinë, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të mos përkojnë me sezonin turistik veror”, thuhet në letrën e ATOA-s.

Exit mobile version