“Snowdeni i dytë” arrestohet në lidhje me sekretet e NSA

FBI deklaroi se ka arrestuar një punonjës me kontratë të National Security Agency, NSA, me akuzën se ai ka vjedhur dokumente të klasifikuara. FBI po zhvillon hetime nëse ky rast ka të bëjë me dekonspirimin së fundi të mjeteve sekrete për të hyrë në kompjutera, të përdorura për të hyrë në kompjuterat e kundërshtarëve.
Harold Thomas Martin III, një 51-vjeçar nga Marylandi u ndalua nga agjentë të FBI-së muajin e kaluar, pasi siç thuhet ai pranoi se kishte marrë me vete sekrete të qeverisë.
“Martin fillimisht e mohoi dhe më vonë kur e konfrontuam me dokumente specifikë, ai e pranoi se kishte marrë dokumente dhe skeda dixhitale që e dinte se ishin të klasifikuara nga vendi i punës së tij në shtëpinë e tij dhe në automjet”, bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë. “Martini tha se e dinte se ajo që kishte bërë ishte e gabuar, se nuk duhet ta kishte bërë sepse e dinte që ishte e paautorizuar”.
Dokumentet nuk e japin me detaje informacionin e klasifikuar, të cilin sipas agjencisë e ka marrë ai. Por kjo lëvizje korrespondon me një dekonspirim të mjeteve sekrete të përdorura nga NSA për të goditur firewalls, mbrojtjet elektronike të kompjuterave, e cila u bë nga një grup që e quante veten “Prishësit e hijes”.
Akuza nuk e lidh këtë grup me Martinin dhe një avokat mbrojtës i tij tha se Martini nuk kishte kurrë në mend ta tradhtonte vendin e tij. Por ky zbulim është rrjedhja më e rëndësishme e informacionit që prej asaj të bërë në vitin 2013 nga punonjësi me kontratë i NSA, Edward Snowden.
Këshilltari i Përgjithshëm i NSA, Glen Gerstell i tha “Reutersit” se, NSA ende po e studion dëmin e bërë nga vjedhja e të dhënave, por tha: “Unë nuk besoj se kjo është një situatë e llojit Snowden”. Snowden, i cili ka marrë azil politik në Rusi, tha se e kishte ekspozuar qëllimisht përmasën e përgjimit të qeverisë së SHBA për të imponuar ndryshime. Kështu që rrjedhja e re e informacionit dhe arrestimi që pasoi janë një shuplakë tjetër për komunitetin e shërbimeve të fshehta të SHBA.

Agjentët e FBI
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se Presidenti Barack Obama e ka marrë “mjaft seriozisht” situatën, duke shtuar se ajo “është një rikujtuese e mirë për të gjithë ne me çertifikata sigurie se sa e rëndësishme është për ne që ta mbrojmë informacionin e sigurisë kombëtare”.
Zyrtarë të SHBA, duke folur në kushte anonimiteti, u thanë agjencive të lajmeve se Martini punonte për Booz Allen Hamilton, firmën konsulente që kishte punësuar edhe Snowdenin në vitin 2013.
Martinin, i cili qëndron në arrest që prej 27 gushtit, e presin deri 10 vjet burg, po të dënohet për akuzat më të rënda që i bëhen.

Exit mobile version