Këshilli Bashkiak i Kukësit kundër koncesionit të Rrugës së Kombit

Këshilli Bashkiak i Bashkisë Kukës është shprehur me anë të një deklarate për shtyp lidhur me koncesionin e Rrugës së Kombit. Këshilli i Bashkisë Kukës kundërshton me forcë, “vendosjen e tarifave për përdorim të Rrugës së Kombit si pengesë e rëndësishme në zhvillimin e zonës, si kosto e shtuar për qytetarët e Kukësit tashmë të varfër”. “Kërkojmë nga organet e qeverisë qendrore, Kryeministit, Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që të përjashtojnë nga këto tarifa të gjithë përdoruesit e rrugës, individë apo biznese që kryejnë veprimtarinë e tyre në Qarkun Kukës”, thekson Këshilli Bashkiak Kukës. Gjithashtu vijon deklarata “kërkojmë rishikim të nivelit të tarifave për të gjitha mjetet përdoruese të rrugës, pasi shkon ndesh me qëllim primar të lidhjes së shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe më gjerë”. Tarifa e paralajmëruar prej 5 euro që do të paguhet për të kaluar në Rrugën e Kombit, ka ngjallur pakënaqësi të shumta tek qytetarët dhe shoqëria civile, të cilët dolën në protestë përpara Ministrisë së Transporteve. Për të kundërshtuar këtë vendim, ka nisur edhe një peticion online që të ndalohet dhënia me koncesion e kësaj rruge. Koncesionin për Rrugën e Kombit e ka fituar një kompani turke që do të përfundojë ndërtimin e rrugës në disa segmente dhe do ta mirëmbajë për 30 vite, duke vendosur tarifë prej 5 eurosh kalimi për çdo makinë dhe një shumë më të lartë për kamionët dhe autobusët, por që ende nuk është përcaktuar në kontratë se sa do të jetë. Peticioni online, i iniciuar nga “Nisma Thurrje” u është dërguar Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Transporteve. Deri në orën 21:45 (28 korrik), 443 qytetarë kanë votuar online kundër dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit. “Ministria e Transporteve është duke firmosur një marrëveshje koncesionare me një shoqëri turke për Rrugën e Kombit. Marrëveshja parashikon se mbas 6 muajsh të hyrjes së saj në fuqi të gjitha mjetet që do të kalojnë në këtë autostradë do të paguajnë 5 euro në vajtje dhe po aq në kthim. Pra, një total prej 10 eurosh. Marrëveshje të ngjashme janë parashikuar të firmosen më pas edhe për akset e tjera rrugore në Shqipëri. Shqiptarët paguajnë në vit 150 milionë euro taksa për mirëmbajtjen e rrugëve. Ato paguhen për çdo litër nafte, nëpërmjet taksës së qarkullimit, e cila është 34.2 lekë për çdo litër naftë. Gjithashtu paguajnë edhe taksën vjetore të qarkullimit të mjeteve, e cila mesatarisht (varet nga lloji i mjetit) shkon në nivelin e 10.000 lekë në vit. 150 milionë euro janë mjaftueshëm për të mirëmbajtur jo vetëm rrugët tona, por edhe ato të vendeve fqinjë e për këtë arsye vendimi për të koncesionuar rrugët, pa eliminuar taksat ekzistuese të qarkullimit, është abuziv dhe shërben vetëm për të pasuruar kompanitë koncesionare dhe ata që qëndrojnë mbas tyre. Ne, qytetarët e këtij vendi nëpërmjet këtij peticioni i kërkojmë Këshillit të Ministrave që të anulojë vendimmarrjen për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit dhe çdo rrugë tjetër deri në eliminimin e taksave aktuale, të cilat mjaftojnë për të mirëmbajtur rrugët”, shkruhet në peticionin online.

Exit mobile version