Shifrat e krizës së thellë, ekonomia në stanjancion

Fuqia blerëse është në kuotat më të ulëta historike, për shkak të varfërisë, papunësisë e mungesës së të ardhurave. Kreu i PD, Basha publikoi dje shifrat që dëshmojnë se vendi po përjeton një nga krizat më të thella ekonomike. përmes një statusi në Fb, Basha ndalet tek të dhënat zyratre për eksportet, importet si dhe defiçitin tregtar, të cilat paraqiten në nivelet më negative historike.
“Ja të dhënat më të fundit zyrtare për 6-mujorin e parë të këtij viti: ekonomia është zhytur edhe më shumë në krizë, konsumi ka rënë, prodhimi në vend ka rënë. Deficiti tregtar rezulton të jetë 14.4% më i lartë sesa në qershor 2015. Eksportet 6.4% më të ulëta se një vit më parë.  Importet në qershor 2016 rezultojnë 1.6% më të ulëta krahasuar me muajin paraardhës.  Ndërsa në nivel 6-mujor rezulton se, eksportet janë 7.8% më të ulëta sesa eksportet janar-qershor 2015.  Këto janë të dhënat që tregojnë luftën e biznesit për të prodhuar, për të ekzistuar madje, nën tutelën armiqësore e të dhunshme të një qeverie që vetëm rrit taksat, shton gjobat, ngre çmimet e energjisë dhe naftës dhe nuk kryen asnjë punë, asnjë shërbim” thekson Basha.
“Taksat e larta, korrupsioni dhe armiqësia ndaj punës dhe prodhimit, mungesa e besimit i kanë marrë frymën biznesit, duke e detyruar atë të mbyllet ose të shkurtojë vendet e punës, duke sjellë këto rezultate. Fuqia blerëse është në kuotat më të ulëta historike, për shkak të varfërisë, papunësisë e mungesës së të ardhurave. Kjo është vepra e vërtetë e keqqeverisjes së Edi Ramës prandaj ai rreket me çdo çmim ta heqë debatin nga hallet e vërteta të njerëzve me llomotitjet e konfliktit politik” shprehet Basha në reagimin e tij.
Eksportet kanë thelluar trendin rënës për 6-mujorin, duke u tkurrur me 7.8% në janar-qershor në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, për të arritur në 117.6 miliardë lekë nga 127.4 miliardë lekë një vit më parë. Efektin kryesor në këtë tendencë rënëse ka vijuar ta japë grupi i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike”, që u tkurr me 44% në 20 miliardë lekë. Ndonëse çmimet e naftës e kanë marrë veten duke qenë afër 50 dollarëshit në qershor, nga nën 30 dollarë që zbritën në janar, aktorët e tregut pohojnë se nafta shqiptare është bërë e papreferuar për shkak të cilësisë së dobët të saj (nafta shqiptare është e rëndë dhe shitet me skonto rreth 70% të Brent dhe kur ishte çmimi i lartë kishte interes ta blije pasi zbritja ishte e lartë, tashmë tregu i huaj nuk ka shumë interes ta tërheqë atë).
Nga ana tjetër, vite më parë të ardhurat nga remitancat luanin një rol kyç në ekonominë e vendit, ndërsa sot këto të ardhura janë ulur ndjeshëm dhe kjo si rezultat i shkëputjes graduale të lidhjeve mes emigrantëve që kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë dhe Shqipërisë, por edhe të zhvillimeve dinamike që njeh gjeoekonomia. Sipas Bankës së Shqipërisë, në muajt e parë të vitit, ky tregues shënoi vlerën e 128 milionë eurove ose 10% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nisur nga kontributi real i sektorëve në ekonomi, rezulton se, rritja ekonomike më parë ka qenë kryesisht e mbështetur te konsumi, remitancat dhe importet dhe jo te prodhimi, investimet dhe eksportet. Pra, sipas ekspertëve ky model ka qenë më shumë me natyrë sasiore ekstensive, sesa rritje ekonomike cilësore, që buron nga sektorë e aktivitete me eficencë të lartë dhe teknologji e inovacione moderne. Ndërsa sot theksojnë ata, një tjetër burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, rezulton të jenë investimet private dhe ato të huaja direkte.

Exit mobile version