Përfundon në polici anëtari i Këshilli Bashkiak të Librazhdit. Me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, duke u cilësuar si drejtor i Ujësjellësit të rrethit, Rrapush Bahiti është paditur nga kreu aktual, Petrit Zeneli. Konflikti në mes palëve, iniciuar që në korrik, fillimisht për shkaqe politike e më pas për postin në ndërmarrjen e ujësjellësit, ka përfunduar tashmë në organin e akuzës. Denoncimin për Bahitin, përfaqësues i PSD-së në Këshillin Bashkiak e ka bërë drejtuesi i Ujësjellësit, Zeneli, ish-kreu i PD-së së Librazhdit. Sipas denoncimit të tij në prokurori, pretenduesi për postin që ai mban ka arritur deri aty sa të falsifikojë vulën e ujësjellësit, me anë të së cilës ka kërkuar në bankë tërheqjen e pagave.
Por, sapo është konstatuar ky fakt, Zeneli ka bërë padinë, duke bërë bllokimin e parave e më pas ngritjen e akuzës për falsifikim të vulës. Ky fakt konfirmohet dhe nga burime zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit, e cila në bashkëpunim me sektorin e antikrimit ekonomik të Drejtorisë së Policisë po verifikon dokumentet me të cilat Rrapush Bahiti dyshohet se ka bërë falsifikimet. Bahiti mësohet se ka pretenduar për postin e kreut të Ujësjellësit prej momentit kur me vendim qeverie, kjo ndërmarrje kalon në varësi të bashkisë.
Në pretendimin e drejtorit aktual, Zeneli, kandidati tjetër ka përplasje interesi, pasi është dhe anëtar i Këshillit Bashkiak dhe i Bordit të Ujësjellësit. Në muajin korrik, një pjesë e anëtarëve të këtij bordi zgjodhën në krye të Ujësjellësit Bahitin, megjithë përplasjen ligjore. Sipas policisë, dyshohet se zgjedhja e tij është bërë duke shfrytëzuar dokumente të falsifikuara. Kjo mënyrë ka bërë që Bahiti dhe disa anëtarë të tjerë të bordit të Ujësjellësit, dje të shoqëroheshin në komisariatin e policisë, në cilësinë e personave të dyshuar për falsifikimin e vulës dhe dokumenteve të tjera. Prej muajit korrik, megjithë përplasjen e ndodhur mes palësh, konflikti pritet të marrë zgjidhje vetëm me ndërhyrjen e Prokurorisë së Elbasanit.