Një ditë pas shpërthimit të një sasie eksplozivi në një veturë tip “Smart”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Policia ka shoqëruar ish-bashkëshortin e pronares së automjetit, por ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Një konflikt me këtë të fundit është edhe pista kryesore e hetimit të policisë, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë ngatërrese në objektiv. Bruna Aliaj rreth 50 vjeçe, ka një biznes rrobash në zonën e ish-tregut elektrik në Tiranë.
Para disa vitesh, ajo mësohet se është divorcuar me bashkëshortin dhe jetonte me dy fëmijët, të cilët janë zhvendosur jashtë vendit. Për këtë shkak gjatë natës, policia shoqëroi ish-bashkëshortin. Por gjatë pyetjes, ai mësohet të ketë mohuar lidhjen me ngjarjen.
Policia konstatoi se, vetura është dëmtuar në pjesën gomës së pasme dhe pranë bagazhit të saj. Policia nisur nga këto rrethana, dyshohet se lënda plasëse mund të jetë aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës dhe se është hedhur me dorë nga një person që mund të jetë larguar me shpejtësi. Pjesë e hetimit do të jenë dhe pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve të zonës, që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Dyshohet të ketë qenë një sasi prej rreth 100 gramësh lëndë plasëse e llojit tritol, që është aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës nga persona ende të paidentifikuar. Makina ku ishte vendosur eksplozivi është në pronësi të shtetases me iniciale B.A., e cila banon shumë pranë vendit ku kishte parkuar mjetin, rreth një orë e gjysmë para se të ndodhte shpërthimi. “Jemi njoftuar se në zonën e njohur si 9-katëshet ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë ka pësuar dëmtime një automjet tip ‘Smart’ në pronësi të shtetases B.A.
Automjeti ka qenë i parkuar dhe dyshohet të jetë dëmtuar nga vendosja e një sasie të vogël lënde eksplozive. Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale”, tha mbrëmjen e djeshme Policia e Tiranës.