“Kicker”: Këlni kërkon rinovimin e Mavrajt

Mërgim Mavraj do të rinovojë kontratën me Këlnin. Lajmin e bën të ditur gazeta gjermane “Kicker”, sipas së cilës, mbrojtësi shqiptar ka bindur me paraqitjet e këtij sezoni edhe pse humbi një pjesë të madhe të ndeshjeve për shkak të dëmtimit të rëndë. Trajneri i skuadrës Peter Stoger i ka dhënë besim mbrojtësit shqiptar dhe dëshiron që ai të jetë pjesë e Këlnit edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Drejtori Sportiv, Jorg Schmadtke thekson në një intervistë dhënë për “Kicker” se vendimi i klubit për të mos e shitur lojtarin në merkaton e dimrit, rezultoi i drejtë.
“Mërgimi tregoi se është një profesionist dhe u impenjua maksimalisht për t’u rikthyer sa më shpejt në formë pas dëmtimit të rëndë. Ai ka pasur gjithmonë një vend në planet e trajnerit, sepse konsiderohet si një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës”, thekson Schmadtke, sipas të cilit, Mavraj është një siguri më shumë në repartin mbrojtës të Këlnit. “Ai është gjithashtu shumë i rëndësishëm, pasi mban mbi supe një eksperiencë të madhe”, thekson zyrtari i klubit. Në fund “Kicker” shton se, paraqitjet e Mavrajt në Euro 2016 do të jenë një tregues i qartë për rolin që do të marrë Mavraj te skuadra e Këlnit, ku trajneri mund t’i rezervojë edhe rolin e liderit.

Exit mobile version