Lazio, Tare “kërcënohet” nga Foggia

Revolucioni në radhët e Lazios pas një sezoni të dështuar mund të prekë edhe nivelet më të larta drejtuese. Drejtori Sportiv, Igli Tare mund t’i japë lamtumirën klubit bardhekaltër pas disa viteve bashkëpunim me presidentin Claudio Lotito. Lajmin e bën të ditur gazeta italiane “Il Messaggero”, sipas së cilës, ish-sulmuesi shqiptar nuk është më në planet e presidencës. Emri që mund ta zëvendësojë Taren në këtë detyrë është ai i ish-lojtarit të Lazios, Pasqualino Foggia.
“Gazzetta Dello Sport” i cilëson një hapësirë të veçantë këtij zhvillimi, por ky mbetet një lajm ende i pakonfirmuar nga klubi kryeqytetas. Foggia pritet të marrë detyrën e drejtorit sportiv të Salernitanës brenda ditëve të ardhshme dhe më pas kjo eksperiencë mund t’i shërbejë për të rivalizuar drejtuesin shqiptar të Lazios. Gjatë viteve të fundit, 42-vjeçari shqiptar ka arritur të bëhet një nga figurat kryesore të klubit italian, pasi ka drejtuar merkaton, duke afruar në Romë shumë lojtarë të njohur të arenës botërore.

Exit mobile version