Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë marrëveshje paqeje që do t’i jepte Rusisë të drejtën e vetos ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Ai theksoi se Ukraina është e vendosur të mos pranojë “paqen me çdo çmim” dhe ka përcaktuar qartë vijat e saj të kuqe në çdo negociatë të mundshme me Moskën.
“Para së gjithash, nuk do të pranojmë kurrë që territoret e pushtuara përkohësisht të njihen si pjesë e Rusisë”, ka thënë Sybiha.
Po ashtu, sipas tij, Ukraina refuzon çdo formë kufizimi në kapacitetet e saj ushtarake – përfshirë përmasat dhe strukturën e forcave të armatosura, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes apo ndihmën ushtarake nga aleatët dhe praninë e trupave aleate në territorin ukrainas.
“Së treti, nuk do të pranojmë asnjë kufizim në sovranitetin tonë – as në politikën e brendshme, as në atë të jashtme, përfshirë të drejtën për të zgjedhur vetë aleancat dhe organizatat ku duam të anëtarësohemi”, theksoi ministri.
Edhe pse aktualisht mungon konsensusi i plotë mes vendeve aleate për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Kievi mbetet i vendosur për të ecur përpara në këtë drejtim.