Presidenti kinez Xi Jinping u largua nga Hungaria të premten pas një udhëtimi pesëditor në Evropë, i pari i tij në pesë vjet. Ai u zotua të punojë me kryeministrin hungarez Viktor Orban për atë që u tha se do të ishte “një rend ti ri botëror shumëpolar”. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, analistët thonë se presidenti Xi po kërkon të shfrytëzojë dallimet perëndimore në qasjen e tyre ndaj Pekinit.
Presidenti kinez, Xi Jinping u largua nga Hungaria të premten pasi nënshkroi 18 marrëveshje dypalëshe për të nxitur lidhjet ekonomike dhe kulturore. Të dy vendet njoftuan atë që e quajtën “partneritet strategjik gjithëpërfshirës të epokës së re”.
“Të dy vendet do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si dhe në fushën e investimeve”, tha presidenti i Kinës për gazetarët.
Investimet kineze në Hungari arrijnë mbi 17 miliardë dollarë, sipas autoriteteve hungareze, në mesin e tyre fabrika të makinave elektrike dhe baterive. Bashkimi Evropian akuzon Kinën për subvencionimin e padrejtë të kësaj industrie, por Pekini e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Por analistët thonë se kjo vizitë lidhej më shumë me dhënien e një mesazhi gjeopolitik sesa me lidhjet ekonomike mes dy vendeve.
“Ne jetonim në një rend botëror që udhëhiqej nga një fuqi, tashmë jetojmë në një botë shumëpolare. Një nga shtyllat e këtij rendi të ri botëror është Kina”, tha Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë.
Zoti Xi dhe zoti Orban diskutuan mbi sulmin rus në Ukrainë. Perëndimi akuzon Kinën se ka ndihmuar Moskën përmes mbështetjes ekonomike dhe me pajisje për prodhimin e armëve. Zoti Orban gjithashtu mban lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë.
“Ne jemi të vetmit në Evropë që nuk e mbështesim luftën. Hungaria po kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime për paqe”, deklaroi ai.
Aleatët tradicionalë të Hungarisë në Bashkimin Evropian dhe NATO kanë shprehur zemërim për lidhjet e saj të ngushta me Kinën dhe Rusinë. Por kjo nuk e shqetëson Budapestin, thotë analisti András Hettyey.
“Në fakt, kjo është një çështje që e ka bërë qeverinë të jetë krenare. Sepse deri më tani ka diferenca shumë të madhe mes qeverisë hungareze dhe partnerëve të saj perëndimorë, deri në pikën ku qeveria aktuale hungareze nuk e sheh as rëndësishme të ketë një reputacion të mirë në Perëndim”, thotë ai.
Vizita e presidentit Xi u shoqërua me protesta të vogla në Hungari.
Para se të vizitonte Hungarinë, presidenti kinez vizitoi Serbinë, një tjetër vend aleat të saj në Evropë, me lidhje të ngushta me Moskën dhe sikurse Hungaria, një partner në iniciativën e Pekinit “ Një Brez, një Rrugë”
Më herët, ai qëndroi për një vizitë dyditore në Francë ku përshëndeti thirrjen e presidentit Emmanuel Macron për të reduktuar varësinë e Evropës nga Shtetet e Bashkuara. Kina po kërkon të shfrytëzojë ndarjet në Perëndim, thotë analisti Steve Tsang.
“Dhe kjo sigurisht u reflektua në zgjedhjen e vendeve që Xi Jinping vednosi të vizitonte. Pra sa më shumë që Kina të magjepsë Evropën dhe të bindë evropianët të mos punojnë me amerikanët, aq më mirë për Pekinin”, thotë ai.
Analistët thonë se vizita e presidentit kinez në Evropë nuk e reeduktoi frikën e Perëndimit lidhur me qëllimet afatgjata ekonomike dhe gjeopolitike të Pekinit.