“Kisha kuriozitet”- Hakeruan email-et e SPAK, njëri kërkon lirinë, tjetri tregon ‘sekretin’! Ish-zyrtari apelon vendimin

Pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme bëri me dije se kishte vënë në pranga dy vlonjatët që kishin ndërhyrë në adresat elektronike të tre prokurorëve të SPAK.

 

Në fakt, informacionet në lidhje me një tentativë hakerimi dolën rreth një muaj më parë, ndërkohë që arrestimi i tyre u bë me dije vetëm në fillimin e këtij muaji.

Dy të akuzuarit, të cilët kishin qenë pjesë e administratës, kanë nisur ‘lojën’ me vendimin për masën e sigurimit personal. Zambak Gjonaj, ish-zyrtari i Burgjeve mohon të jetë i përfshirë në hakerimin e dosjeve hetimore, ndërsa 33-vjeçari Rrokaj ka të dhëna që në dëshminë e tij ka thënë se nuk kishte asnjë lloj qëllimi, por vetëm kuriozitet në lidhje me të dhëna hetimore.

Ndonëse SPAK, teksa tentoi të jepte shpjegim zyrtar mbi aktin e dy hakeruesve, nuk bëri me dije se çfarë materialesh hetimore ishin përvetësuar, por në njoftim u la të kuptohej se SPAK i kishte mekanizmat mbrojtës që të mos preket nga asnjë tentativë hakërruese.

APELIMI I VENDIMIT NGA GJONAJ

Sipas të dhënave zyrtare bëhet me dije se ishzyrtari i burgjeve Zambak Gjonaj ka apeluar vendimin e shkallës së parë që e la në qeli me akuzën e ndërhyrjes kompjuterike me sistemet e SPAK. Ai u ndalua nga BKH 24 orë pas marrjes dijeni që në email-et e 3 prokuroreve janë marrë të dhëna. Bëhet me dije se Gjonajt i kanë rënë në dorë dokumentet dhe më pas ai i ka shpërndarë tek njerëz të tjerë. Po ashtu në shkresën e organit të akuzës është pasqyruar se kush e ka kryer ndërhyrjen që i referohen pikërisht të ndaluarit tjetër Arnold Rrokaj. Por pavarësisht kësaj SPAK thotë se personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por, gjithnjë sipas SPAK, pa sukses.

Prokuroria ka bërë me dije se po e heton ndërhyrjen për veprën penale të grupit kriminal pasi ka dyshime se kanë vepruar për persona të tretë që po verifikohen nga prokuroria. Në deklaratë thuhet në 12 mars u mor informacioni për ndërhyrjet e paligjshme. Më tej shtohet se autorët nuk arritën të futeshin në sistemin e brendshëm që sipas Prokurorisë së Posaçme mbetet i pacenuar.

HAKERUESI

Arnold Rrokaj është 33- vjeçari që pretendohet se ka pranuar se ka ndërhyrë në postën elektronike të tre prokurorëve. Vlonjati që ka qenë i punësuar në IMT mësohet të ketë thënë se “e bëra nga kurioziteti”, duke lënë të kuptohet se, në fakt, ka përvetësuar materiale nga adresat elektronike të prokurorëve. Mirëpo hetimi i çështjes tashmë është fokusuar tek fakti se Rrokaj, i cili dyshohet se ia ka dhënë të dhënat e përftuara Zambak Gjonajt dhe ky i fundit i ka shpërndarë në persona të tretë, ka funksionuar si grup kriminal bashkë me Gjonajn dhe personat e tjerë.

Sipas të dhënave hetimore është e qartë se i dyshuari, me detyrë të mëparshme punonjës pranë IMT, ia ka kaluar më tej të dhënat Zambak Gjonit, edhe ai me profesion jurist, si dhe ish-zyrtar i burgjeve. Por grupi i hetimit është i bindur që i riu nuk ka thënë të vërtetën. Sulmi, siç njoftoi zyrtarisht SPAK, u sinjalizua në datën 12 mars 2025, por në harkun e 48 orëve janë identifikuar dy bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve u vendos arrest në burg. Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, njëherazi urdhëroi ‘ndalimin e publikimit të dosjes’, përderisa hetimet po vazhdojnë ende për të zbardhur të gjithë skenarin.

Çështja po hetohet për grup kriminal. SPAK ka njoftuar zyrtarisht se pas një hetimi administrativ është konstatuar se hakeruesit nuk kanë arritur të hyjnë në sistem. Ndërsa vijojnë analizat e brendshme hetimore për të konkluduar se çfarë përmbante posta elektronike e tre prokurorëve, të cilët dyshohet se kishin fjalëkalime të lehta të email-ve për sa kohë janë thyer nga të interesuarit. SPAK nuk bën me dije se çfarë materialesh janë marrë në këto adresa dhe se kush janë palët e treta që kanë pasur interes për materialet hakeruese./

Exit mobile version