KLD hetim gjyqtarëve të ‘Hakmarrjes për Drejtësi’

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të hetojë gjyqtarët që shpallën të pafajshëm 11 anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Hetimi do të nisë për gjyqtarët Alaudin Malaj, Sotiraq Lubonja, Artur Kalaja, Stavri Kallço dhe Etleva Theme, të cilët shpallën të pafajshëm të gjithë anëtarët e “Hakmarrjes”. Në njoftimin për shtyp të KLD thuhet se, me kërkesë të Presidentit të Republikës, njëherazi Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Inspektorati i KLD-së filloi hetimin për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë. Referuar publikimeve në media, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë ka përfunduar shqyrtimin e çështjes penale ndaj organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, duke dhënë vendim pafajësie për 11 anëtarët e saj, për rreth 17 akuza penale, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth 20 vjet.
“Nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes së transmetuar dhe nga shqetësimi i ngritur nga Presidenti i Republikës, njëherazi kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u konstatua se ka vend që Inspektorati i KLD-së, të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo, për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit në funksion të zgjidhjes së parregullt të një çështjeje gjyqësore penale”, thuhet nw njoftimin e KLD.
Konkretisht, në mbështetje të nenit 101 pika 1 të Ligjit Nr. 96/2016 duhet të hetohet nëse gjyqtarët që kanë gjykuar çështjen penale në fjalë: haptazi nuk i janë referuar ligjit ose fakteve për shkak të pakujdesisë së rëndë ose dashjes; apo në mënyrë të pajustifikuar, kanë kryer akte dhe sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose që dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor.
Për efekt hetimi, Inspektorët e KLD-së, do të evidentojnë çdo të dhënë që lidhet me përmbajtjen e ankesës publike, si dhe të dhënat që tregojnë shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit. Për këtë qëllim do të merren kopje të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, të administrohen regjistrimet audio të seancave gjyqësore, vendimi gjyqësor përfundimtar, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtarët, sekretarja gjyqësore, prokurori i çështjes, kryetari i Gjykatës, si dhe çdo subjekt tjetër që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit.
Një ditë më parë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të shpallë të pafajshëm të gjithë anëtarët e bandës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Tashmë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, dy themeluesit e kësaj organizate terroriste, Leart Shyti dhe Orik Shyti si dhe anëtarët e saj Altin Arapi, Pasho Novruzi, Dritan Hate, Gëzim Gjoni, Gentian Haka, Nikolin Novruzi, Roland Shyti dhe Kreshnik Spahiu do të jenë të lirë dhe të pafajshëm dhe mund të kthehen në Shqipëri kur të duan.
Dy themeluesit e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” janë djemtë e Hajredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste. Hajredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve civilë në 2 prill 1991 në Shkodër. Themelimi i kësaj organizate terroriste nisi si një hakmarrje për dënimin e Shytit për të krijuar destabilitet në vend.
Në fakt, shpallja e pafajësisë për anëtarët e organizatës terroriste ishte paralajmëruar që në mars të viti 2016, ku Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen “Hakmarrja për Drejtësi”, duke ia kaluar atë për gjykim Apelit të Krimeve të Rënda. Rikthimi i shqyrtimit të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” është bërë me porosi të Ramës. Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, duke përdorur bandat për vjedhjen e votave. Ai jo vetëm që i përdori banditët e kriminelët për grabitjen e votave, por disa prej tyre i futi në Parlament, duke i bërë deputetë. Këtë strategji po kërkon të ndjekë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Ai po liron nga burgu të gjithë banditët dhe nuk është çudi që vëllezërit Shyti apo edhe Lul Berishën t’i bëjë deputetë.

R.POLISI

Exit mobile version