Reagon vajza e Bujar Kaloshit: Gjyqtarët na vranë për së dyti

Viola Kaloshi, vajza e Bujar Kaloshit, ish-drejtorit të Burgjeve vrarë në korrik 1996 ka reaguar pas lirimit të ashtuquajturës “Hakmarrja për Drejtësi” që akuzohej për këtë vrasje dhe shumë krime të tjera. Mesazhi i saj në Facebook është tejet i ndjerë ku përmenden momentet e vrasjes së të atit, dhimbje që e ka përjetuar kur ishte 13 vjeç. Ajo gjithashtu shkruan se, lirimi i këtyre personave është një vrasje e dytë për të atin e ndjerë.
Postimi në Facebook i vajzës së Kaloshit
Krimi ende i lirë edhe sot pas 20 vitesh…
Me dhimbje të thellë mësova lajmin e vrasjes për herë të dytë të babait tim Bujar Kaloshi. Këtë lajm për herë të parë e përjetova 20 vite më parë, në moshën 13-vjeçare.
Ndërsa mes lotëve dhe dhimbjes vrapova drejt makinës së tij për ta përqafuar ashtu siç bëja çdo mëngjes, pasi mëngjesi ishte i vetmi moment kur unë mund të lumturohesha me prezencën dhe dashurinë e tij. Kjo, për shkak të orëve të tij të gjata në punë, për të ndërtuar një shtet ligjor, të ndershëm, të meritokracisë dhe vlerave.
Por, atë mëngjes gjithçka u pre në mes. Dora kriminale ma kishte gjakosur tani me përqafimin tim, ashtu siç bëri edhe sot. Ndërsa, duart e mia, të një fëmije të mitur u mbuluan nga gjaku i pafajshëm i babait tim Bujar Kaloshi.
Si mundet të rivrasësh një njeri si Bujar Kaloshi, që jo vetëm punoi me devotshmëri, përkushtim, e besnikëri, por dha edhe jetën për vendin e tij, deri në ditën e fundit, duke lënë pas tek ne fëmijët e tij një plagë të madhe.
Ai shpesh thonte se “jap edhe jetën për shtetin”. Dhe e dha jetën si zyrtar i shtetit. Por, pavarësisht kësaj, krimi mbetet ende i lirë.
Orët e drejtësisë janë mbuluar tanimë, nga orteku i madh i padrejtësive, etjes për pushtet të çakenjve, krimi i organizuar, korrupsioni, droga etj. Madje, madje i tejkalojnë edhe ato të diktaturës famëkeqe.
I dashur babi im, askush nuk mund të përgjak më tej rrugtimin tonë të përbashkët drejt së vërtetës. Sikurse, sdo mund të përbaltë kurrë vlerat dhe virtutet më të mira si; ndershmëria, krenaria, fisnikëria, bujaria, drejtësia, etj., që t’i rrënjosë tek ne.
Sot, emri dhe gjurmët që ti ke lënë pas janë të gjalla. Ne të takojmë çdo ditë, tek të njohur apo të panjohur, të cilët përloten dhe përulen me respekt teksa flasin për ty.
Të dashur miq,
Bujar Kaloshi ishte Gladiatori që e fitoi betejën me ju dhe për ju. Falë mbështetjes dhe besimit tuaj të palëkundër, ai luftoi për shtetin e së drejtës, një Shqipëri Euro-Atlantike dhe Kosovën e pavarur.
Në emër të vlerave tona të përbashkëta ju lutem pranoni, mirëkuptoni këto rreshta dhe mbështesni më tej në rrugtimin drejt së vërtetës.

Exit mobile version