Klemend Balili kontrollonte shpërndarjen e drogës në Milano

7 kuintalët e drogës të kapur në Greqi nga policia greke dhe DEA amerikane ishin të destinuara për në Milano. Mediat italiane zbulojnë se cila ishte linja e trafikut të drogës, në të cilën rezulton i implikuar edhe ish-drejtori i Transporteve të Sarandës, Klement Balili, i cili ka humbur gjurmët pas shkarkimit nga detyra, javën e kaluar. Sipas tyre, droga e kapur në Zakinthos kishte destinacion Salenton, në Itali, ku arrinte me një çmim prej 1 mijë eurosh për kilogramë. Por tregu final ishte Milano, ku çmimi rritej me 700 deri në 800 euro për kilogramë.
Rruga e trafikut nis nga Shqipëria me ndalim në ishujt grekë, më pas në brigjet italiane ku ngarkohet mbi kamionë për t’u shpërndarë më pas në Milano. Edhe shpërndarja në këtë kryeqendrën e Lombardisë, sipas mediave italiane, kontrollohej nga Klement Balili apo menaxheri i shtetit, siç e quajnë ato dhe organizata e drejtuar prej tij.
“Corriere Della Sera”, duke iu referuar burimeve hetimore, shkruan se “Menaxheri i shtetit shqiptar apo Eskobari i Ballkanit, është parë prej disa vitesh në Milano, ku ka ardhur për takime zyrtare nga detyra që mbante apo për takime ‘informale’ me shqiptarë të tjerë, që operojnë mes Milanos dhe provincës.
Ajo jep detaje edhe për jetën luksoze të Balilit dhe lëvizjet e tij në zonat më të shtrenjta të Milanos, si zonën e Galerisë në Piaca Duomo, në dyqanet e shtenjta në Korso Verçeli, në Porta Venecia apo sheshin e Republikës. Gazeta shkruan se Balili mund të jetë fshehur në Greqi dhe thekson se Balili përdorte rolin e tij si zyrtar për të trafikuar sasitë e mëdha të drogës dhe të merrte informacione në kohë reale mbi lëvizjet e hetuesisë dhe policisë.

Exit mobile version