Shullazi i vendosi tritolin jo vetëm Tahirit, po dhe shtëpisë së djalit të një socialisti të thekur

Një oficer i Policisë Gjyqësore ka konfirmuar ekzistencën e raportit të hetimit në Njësinë Antiterror të Drejtorisë së Tiranës, sipas të cilit tritolin tek farmacia e Bashkim Tahirit e ka vendosur grupi i drejtuar nga Emiljano Shullazi. Por, jo vetëm aty.
Oficeri i Policisë, që nuk ka dashur të identifikohet thotë edhe se, “po atë natë, tritoli është vendosur edhe tek shtëpia e Elvis Gacajt, djalit të një socialisti të thekur, por Policia e ka mbajtur të fshehur këtë fakt”. Burimi në fjalë është cituar nga ish-Kryeministri Berisha në një mesazh në Facebook. “Për më shumë hollësi, lexojeni vetë mesazhin e oficerit dixhital të Policisë Gjyqësore”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jam punonjës në sektorin e Antiterrorit. Dua t’ju informoj se informacioni i qytetarit dixhital, lidhur me raportin e vendosjes së tritoleve tek farmacia dhe në rrugën e banesës së Bashkim Tahirit nga grupi i Shullazit, i dorëzuar në Njësinë e Antiterrorit të Drejtorisë së Tiranës është i vërtetë, por shefat e mi e kanë fshehur atë; raportin që “grupi i Parkut”, pra i Shullazit është dorëzuar tek Antiterrori i Drejtorisë së Tiranës, sepse ai seksion do merrej me ngjarjen.
Kështu që për eprorët e mi vërtetohet që organizimi i tritolit te farmacia ishte dorë e Shullazit, sepse pak kohë para tritolit, Shullazin e plagosën dhe ai pati një konflikt me ministrin, sepse kërkonte dorë të lirë në çdo fushë.
Po të kisha siguri për jetën do t’i dilja hapur këtyre kriminelëve në brendësi të Policisë dhe jashtë, por për momentin më duhet të ruhem në anonim. Më kuptoni drejt.
Por sa për dijeni, në raport njoftohet se ditën e tritolit nuk ishte vetëm tek farmacia dhe tek shtëpia e Bashkim Tahirit, por ishte edhe tek shtëpia e Elvis Gacajt, i cili njihet me nofkën i forti Tiranës së Re, por ky fakt nuk është bërë publik për mediat.
Elvisi njihet nga i ati Shpëtim Gacaj, mik i ngushtë me Pandeli Majkon, Gramoz Ruçin etj.
Për Elvisin, të cilit ju bë një atentat para ca kohësh nga një militant i LSI, diçka është qartësisht e vërtetuar që tritolvënësi që donte t’i jepte një sinjal ministrit, donte të vriste edhe Elvis Gacajn i cilësuar si vrasës me pagesë dhe drejtues i trafikut të drogës në zonën e Tiranës së Re, sepse nga hetimet del se i njëjti numër telefoni që aktivizoi tritolin tek farmacia e Bashkimit, i njëjti numër telefoni provoi duke çuar disa herë zile tritolit tek shtëpia e Elvisit.
Do të doja shumë t’ju jepja emrat e shefave të mi dhe t’ju jepja shumë e shumë detaje, por do të kuptohej shumë shpejt se kush jam unë. Do t’ju njoftoj në vazhdimësi me besimin që në polici nuk kanë vend kriminelët. Ju faleminderit.R.N”, shkruhet në mesazhin e qytetarit.

Exit mobile version