Klima e biznesit, bie besimi në ndërtim dhe tregti

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) iu kthye rritjes në muajin maj. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 1.1 pikë dhe qëndron 8.9 pikë mbi mesataren historike. Rritja e TNE-së muajin e kaluar reflektoi përmirësimin e besimit në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve.

Në të kundërt, rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë dha një kontribut negativ në treguesin e agreguar për ekonominë. Besimi konsumator mbeti i pandryshuar, në nivelin e një muaji më parë.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 8 pikë përqindje në muajin maj, duke kompensuar rënien e muajit të kaluar. Niveli i tij këtë muaj është përsëri mbi mesataren historike me rreth 7.8 pikë përqindje.

Përmirësimi u përcaktua nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse të bizneseve nga eksportet. Gjithashtu, bizneset ishin më optimiste edhe për prodhimin industrial aktual. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë shënuar rënie të lehtë krahasuar me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 3.4 pikë përqindje në muajin maj. Pavarësisht luhatjeve mujore, niveli i treguesit qëndron 13.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e besimit këtë muaj u përcaktua nga vlerësime më të ulëta të bizneseve për aktivitetin ndërtues aktual dhe pritje më të ulëta për porositë kontraktuese. Pritjet për çmimet u rishikuan lehtë për lart këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 2.2 pikë përqindje në muajin maj. Niveli aktual i tij qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike, me 16 pikë përqindje. Përmirësimi i besimit u përcaktua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin e kërkesës.

Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Treguesi i besimit në tregti regjistroi rënie me 1.8 pikë përqindje në muajin maj.

Niveli i tij aktualisht qëndron rreth 4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien e besimit ndikuan kryesisht vlerësimet më pesimiste për ecurinë aktuale të biznesit. Në një masë më të vogël rënëse ndikoi edhe komponenti i pritjeve për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar në rritje këtë muaj.

Treguesi i besimit konsumator ruajti të njëjtin nivel me një muaj më parë, duke qëndruar rreth 2.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Për sa i përket komponentëve përbërës të treguesit, vlerësimi i konsumatorëve për situatën e përgjithshme ekonomike u përmirësua në maj, duke dhënë kontributin kryesor rritës. Ndërkohë, komponentët e tjerë: situata financiare e familjeve dhe blerjet e mëdha dhanë kontribut negativ./ Monitor

Exit mobile version