Pas zgjedhjeve të 11 majit, Gazeta Impakt zhvilloi një intervistë me z. Eljan Kaja, kandidat për deputet në qarkun e Durrësit nga Koalicioni Euroatlantik. Në këtë bisedë, z. Kaja ndan vlerësimin e tij për procesin zgjedhor, sfidat e një formacioni të ri politik, qëndrimin ndaj çështjeve të ndjeshme si dhe mesazhin e tij për qytetarët që e mbështetën dhe ata që zgjodhën ndryshe.
Më poshtë gjeni intervistën e plotë.
1. Si e vlerësoni procesin zgjedhor të 11 majit në tërësi? Ishte një proces i drejtë dhe i rregullt sipas jush?
Zgjedhjet e 11 majit shënuan përparim në disa aspekte të procesit demokratik, të tilla si pjesëmarrja për herë të parë të diasporës, roli i SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore, por ishin shumë pak për tu vlerësuar pozitivisht. Për të aspiruar hyrjen në BE duhen reforma të mëtejshme për të siguruar një garë të drejtë dhe të barabartë për të gjitha palët e përfshira. Nëse rendisim difektet janë vërtet shumë.
2. Cili ishte reagimi juaj personal dhe i Koalicionit Euroatlantik ndaj rezultatit në qarkun e Durrësit? A mendoni se qytetarët dhanë një mesazh të qartë me votën e tyre?
Unë e lexoj rezultatin në një këndvështrim tjetër. Nga këto këto zgjedhje unë kam arritur të nxjerr një konkluzion, që votuesit shqiptarë janë pragmatistë dhe akoma votojnë kumdra si dhe mosbesues ndaj politikës së re, ne funksionojmë si formacion politik nga 3 muaj dhe është shumë e vështirë të konkurosh pa struktura të mirstrukturuara.
Prandaj, edhe pse rezultati mund të jetë zhgënjyes në shifra, ai është inkurajues në përmbajtje. Qytetarët kanë folur, ndryshe nga herët e tjera ata kishin një alternativë ndryshe për mos të zgjedhur të keqen më të vogël si në rastet e tjera. Megjithatë është detyra jonë të dëgjojmë, të kuptojmë dhe të veprojmë.
3. A keni ndonjë shqetësim lidhur me mënyrën si u administruan votat apo me rolin e institucioneve zgjedhore gjatë këtij procesi?
Nga sa kemi konstatuar deri tani ne procesi duket shumë kompromentuar dhe aspak bindës, por nuk na takon ne të hamendësojmë, panvarsisht se hamendësimet tona na shfaqin një panoramë të frikshme, janë organet kompetente që duhet të hetojnë dhe janë ata që duhet të prononcohen.
4. Çfarë mësimesh merrni nga ky rezultat për angazhimet e ardhshme politike në Durrës apo në nivel qendror?
Ajo që ne kemi lexuar gjatë fushatës ballë për ballë me qytetarët panvarësisht që nuk u përkthye në vota nga shumë faktorë, është thirrja për vazhdimësi, për konsolidim të alternativës sonë. Është një mesazh për të mos u tërhequr, por për të qëndruar me këmbëngulje dhe durim në ndërtimin e një opozite të re, që nuk mban peng të shkuarën dhe nuk frikësohet nga sfidat e së ardhmes.
5. Mesazhi juaj për qytetarët që ju mbështetën dhe për ata që zgjodhën ndryshe — si do të vazhdojë angazhimi juaj politik pas këtyre zgjedhjeve?
Reagimi ynë, si individë dhe si Koalicion Euroatlantik, ndaj rezultatit në qarkun e Durrësit është një reflektim i thellë, i shoqëruar me përgjegjësi dhe vetëdije të plotë për situatën politike dhe sociale të vendit. Ne jemi mirënjohës për çdo votë që na është besuar dhe e konsiderojmë atë një akt besimi dhe shprese për një politikë ndryshe, më të drejtë, më të ndershme dhe më të orientuar nga qytetari./ Botuar me shkurtime nga gazeta “Impakt”