KLSH konstaton mangësi në ndihmën ligjore falas për grupet në nevojë

Personat që kanë nevojë për ndihmë juridike falas nuk po e marrin atë për shkak të mangësive institucionale. Në këtë përfundim ka dalë auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLSH shprehet se duhet të ketë një rishikim të mënyrës së si jepet kjo ndihmë dhe po ashtu ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim dhe njohuri për këto grupe.

Qendrat e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore vazhdojnë të jenë jashtë standardeve”, thuhet në raport, duke shtuar se kjo ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarit.

Ndihma juridike e garantuar nga shteti është një nga format më thelbësore të aksesit në drejtësi. KLSH shprehet se në mënyrë që kjo të funksionojë, është i nevojshëm ndërgjegjësimi i qytetarëve lidhur me këtë të drejtë.

Kryesisht fushatat sensibilizuese duhet të orientohen tek grupet e margjinalizuara, të cilët janë edhe potencial për të qenë përfitues të skemës juridike falas”, vlerëson KLSH.

Një tjetër problematikë që del nga auditimi i KLSH është numri i ulët i qendrave që e ofrojnë ndihmës juridike falas.

Mbulimi i kufizuar i disa rretheve të vendit apo mungesa e OJF-ve të autorizuara dhe Klinikave të Ligjit ka cenuar aksesin e qytetarëve në skemën e ndihmës juridike falas”, ka zbuluar KLSH.

Po ashtu, mosfunksionimi i Klinikave të Ligjit cenon një nga hallkat e ofrimit të ndihmës juridike parësore.

Ndihma juridike falas ofrohet si parësore dhe dytësore. E para sipas KLSH ofrohet në disa qendra dhe OJF të autorizuara nga Ministria ku prezenca e numrit të juristëve në raste specifike është e kufizuar.

Ndërsa ndihma juridike dytësore ofrohet nga avokatët që autorizohen nga Dhoma e Avokatisë. Numri i avokatëve që e ofrojnë këtë sipas KLSH është rritur duke shkuar nga 68 avokatë në vitin 2020 në 160 në vitin 2023.

Qytetarët në nevojë, mund të përfitojnë edhe nga forma e shtuar të shërbimit ligjor falas, ajo e përjashtimit nga të gjitha tarifat dhe shpenzimet gjyqësore. Kjo vjen pas ndryshimit të ligjit, ku më herët përfitohej vetëm avokatia falas.

Referuar të dhënave, në rreth 25% të totalit të kërkesave, qytetarët kanë nevojë vetëm për mbulim të shpenzimeve gjyqësore. Kërkesa për shërbimet e ndihmës juridike dytësore ka ardhur në rritje nga viti në vit.

Në 2022 ka pasur 718 kërkesa për avokat dhe shërbime gjyqësore dhe 264 kërkesa për ekspertë dhe tarifa.

90% e totalit të çështjeve ku qytetarët kërkojnë ndihmë juridike falas, janë të karakterit civil, por kërkesat për përfaqësim në çështje penale nga viti në vit kane ardhur në rritje.

Në vitin 2019, nga 32 vendime, 4 ishin për çështje penale. Në vitin 2020, nga 181 vendime, 13 ishin për çështje penale, për vitin 2021 nga 849 vendime, 61 ishin për çështje penale dhe, ndërsa për vitin 2022 nga 1030 vendime, 70 ishin për çështje penale

“Mbrojtja juridike dytësore ka një rëndësi të veçantë në garantimin e të drejtës për akses të barabartë në drejtësi”, thotë KLSH duke shtuar se është e nevojshme të ketë mekanizma real për vlerësimin e performancës së ofruesve të shërbimit./ citizens-channel.com

Exit mobile version