Partitë e koalicionit opozitar kanë vendosur të mos regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekte zgjedhore duke konfirmuar qëndrimin se zgjidhja e vetme që do të mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike. Përmes një njoftimi për mediat, koalicioni opozitar ka bërë të ditur se aktualisht krimi dhe paratë e drogës janë dy mekanizmat që partitë qeverisëse kanë vendosur në dispozicion të blerjes së zgjedhjeve dhe vullnetit të lirë të qytetarëve.
“Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur më 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në një njoftim për mediat i shpërndarë nga zyra e shtypit të PD.
Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën evropiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, koalicioni opozitar thekson se është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.
“Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshjeje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë. Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falënderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme”, thuhet në deklaratën e koalicionit opozitar.