Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ka akuzuar Ramës si përgjegjësin kryesor për shndërrimin e vendit në burimin kryesor të prodhimit dhe trafikut të drogës, ndërsa deklaroi se Rama tashmë ka përgatitur blerjen e zgjedhjeve përmes parave të drogës. “Rama lejoi shndërrimin e vendit në Kanabistan që të ardhurat t’i përdorë për të blerë zgjedhjet”, thekson Dule. Ndaj dhe ai shprehet se krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është një domosdoshmëri dhe se opozita dhe koalicioni i saj, bashkë me qytetarët shqiptarë janë në rrugën e duhur për të mbrojtur me çdo mjet vullnetin e lirë të qytetarëve.
“Problemi me kryeministrin është se ende përpiqet që të bindë veten se gëzon shumicën. Mund të ketë formalisht një shumicë që i jep statusin e partisë, por ajo që është e sigurtë është diskonkordanca me besimin në qeveri. Qytetarët çdo ditë distancohen nga qeveria e dështimit perfekt. Me këto qëndrime sjell një stuhi në çdo drejtim. Rama duhet të konceptojë se le një gjurmë negative. Precedentin e krijon vetëm ai. Në bazë të raporteve të OSBE-së zgjedhjet e 2015-s që administrohen nga Rama ishin hapa mbrapa. Zgjedhjet e zhvilluara në Dibër, Korçë apo Ersekë vetëm të tilla nuk mund të konsiderohen. Më 2013-n blerja e votës ishte fenomen në dukje, ndërsa në Dibër ishte fenomeni kryesor. Rama lejoi shndërrimin e vendit në Kanabistan që t’i investojë të ardhurat në blerjen e zgjedhjeve. Rama po bëhet pengesë kryesore për anëtarësim në Europë. Shqipëria duhet të dalë nga harta e blerjes së zgjedhjeve. Opozita është në kahun e duhur dhe po bën çmos që të mbrojë procesin zgjedhor”, tha Dule.