“Koha në Ukrainë matet me jetën e njerëzve, jo me ditë apo javë”- Zyrtari i NATO-s viziton Kievin, bën thirrje për mbështetje të fortë

Shefi i komitetit ushtarak të NATO-s, Rob Bauer, gjatë vizitës në Kiev deklaroi se aleatët e Ukrainës nuk duhet të jenë pesimistë lidhur me aftësinë e shtetit për të zmbrapsur trupat ruse dhe bëri thirrje që paketat e rëndësishme të ndihmës të dërgohet me shpejtësi.

 

Bauer udhëhoqi vizitën e parë zyrtare në Kiev të një delegacioni ushtarak të NATO-s që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Trupat e Kievit po përballen me mungesë të municioneve dhe të ushtarëve dhe po përballen me forcat ruse në lindje, të cilat po avancojnë.

“Ukrainës i duhet edhe më shumë mbështetje. Dhe ju duhet tani. Koha në Ukrainë nuk matet në ditë, javë apo muaj. Matet me jetën e njerëzve. Në shtetet e aleatëve java është javë. Në Ukrainë, një javë është një nënë, baba, fëmijë, mik, i dashur, që humb përgjithmonë”, tha ai në Forumin e Sigurisë së Kievit.

Ai lavdëroi qëndrueshmërinë e Kievit dhe aftësinë për t’u përshtatur shpejt me shumë aspekte të luftimeve moderne.

Bauer po ashtu u takua me shefin e ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, me të cilin bisedoi për situatën aktuale të luftimeve. Syrskyi shkroi në Facebook se gjatë takimit është biseduar për furnizimet me municione dhe për mbrojtjen ajrore.

Me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, Baizer bisedoi për mundësinë e trajnimit të ushtarëve ukrainas dhe për bashkëpunimin në mes të industrive të mbrojtjes.

“Përderisa bota mund të ketë qenë tepër optimiste më 2023, ne nuk duhet të bëjmë gabimin e njëjtë dhe të bëhemi tepër pesimistë më 2024”, tha Bauer në Forumin e Sigurisë, duke shprehur besimin në aftësinë e Ukrainës që të ngadhënjejë në fushëbetejë./REL

Exit mobile version