Koha për Tonik Dhe Vaj Trëndafili të Egër

Ka shumë mënyra se si e trajtojmë trëndafilin e egër, por dua t’ju rrëfej një mënyrë shumë komode me përfitime të jashtëzakonshme të të gjitha vlerave që mbart kokrra e kuqe magjike. Tani në dhjetor, trendafili është vjelur plotësisht, por në Dajt apo anës rrugëve rurale shohim kokrra të pjekura aq mirë sa dhe mund t’i hamë, aq të ëmbla janë bërë. Gjithsesi në treg ka nisur të shitet masivisht trëndafili i egër i riu, pra i këtij viti. Në tregun e Pazarit të Ri, një kilogram kushton nga 3-5 mijë lekë.

Përgatitja

Merren enë të mëdha qelqi ose damixhanë të cilët mbyllen hermetikisht. Trëndafilët e egër i lajmë disa herë për të qenë të sigurt se ia kemi hequr të gjithë pluhrin e rrugës dhe i fusim në enë. Ashtu si hardiçi i përfituar nga dëllenjat, edhe raporti i trëndafilit me ujin është 1 me katër, pra 1 kilogram trëndafil i egër me katër litra ujë. Në varësi të enëve që keni e zgjidhni vetë sasinë. Në fund shishja apo ena mbyllen hermetikisht dhe e vendosim në një vend të errët e të thatë për 40 ditë. Pas këtij afati ju mund ta hapni enën dhe të filloni të merrni lengun, që jo vetëm do t’ju furnizojë me vitaminë C por edhe do t’ju pastrojë të gjithë sistemin tretës e veshkat. Pasi të merrni një litër leng trëndafili, të njëjtën sasi do e zëvendësoni me ujë të pijshëm në enë. Ky ritual duhet të vazhdojë deri sa ngjyra e errët e lëngut do të fillojë të zverdhet e të humbë shijen.

Vaji i trëndafilit

Thonë që ky vaj bën po aq mrekulli me fytyrën sa ç’bën trëndafili brenda trupit tuaj. Për të përgatitur vajin në shtëpi duhet të veproni në këtë mënyrë. Kokrrat e trëndafilit të egër çahen në mes dhe i hiqet prej trupit pushi që kanë brenda. Trëndafilët e pastruar i vëmë në letra e i lëmë të thahen në mënyrë natyrale. Më pas, mund të zgjedhim vajin që duam. Unë personalisht kam përdorur vaj ulliri, por mund të përdorni edhe vajra të tjerë. Në një kavanos të vogël futen trëndafilat dhe më pas mbulohen me vaj. Lihen sërish 40 ditë sa për të plotësuar ciklin dhe pastaj kullohen e mund ta përdorësh menjëherë. Veçoria që më bëri përshtypje në aplikimin e këtij vaji në fytyrë, ishte ndjesia e pickimit dicka e ngjashme me agopunturën. Për të eleminuar erën e vajit të ullirit mund të përdoren edhe esenca, por personalisht unë kam zgjedhur përzierjen vetëm mes natyraleve. Ky vaj e ushqen fytyrën me vitamina dhe e hidraton në thellësi. /AgroWeb.org

Exit mobile version