Kryetari i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka reaguar lidhur me shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Kokëdhima shprehet se Haki Çako dhe gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Shtetit duhet të kishin ikur nga detyra dhe të kishin shkuar përpara drejtësisë një deri në dy vite më parë, kur u vunë në shërbim të planit ogurzi të Kryeministrit për të kanabizuar vendin.
“Pablo Eskobari do ta kishte zili këtë perandori të drogës që ngriti Timonieri i Rilindjes!”, thekson Kokëdhima në deklaratën e tij.
“Me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, qeveria liroi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. ZGJIDHJA e përshëndet këtë vendim, megjithëse ai është shumë i vonuar dhe me motivacion të gabuar. Ky vendim nuk e trondit aspak kartelin e drogës të instaluar në vend nga Rilindja. Haki Çako dhe gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Shtetit duhet të kishin ikur nga detyra dhe të kishin shkuar përpara drejtësisë mëse një deri në dy vite më parë, kur u vunë në shërbim të planit ogurzi të Kryeministrit për të kanabizuar vendin, nën mbrojtjen dhe ndihmën e pakursyer si ortake në biznes të Policisë së Shtetit. Rama ideoi, projektoi, implementoi dhe udhëhoqi planin për kanabizimin e Shqipërisë”.