Krimet e Rënda: Policia dekonspiroi operacionin e Xibrakës

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka deklaruar se ndërhyrja në laboratorin e kokainës në Xibrakë është dekonspiruar nga policia dhe ka qenë e nxituar.
Kjo u ka dhënë mundësinë të pandehurve që të fshehin provat, duke i hequr mundësinë Prokurorisë që të mbledhë provat, që do të mund të çonin në dënimin e personave të ndaluar.
Sipas Apelit të Krimeve të Rënda, aksioni në Xibrakë është dekonspiruar nga policia, gjë që ka dëmtuar rëndë procesin e mbledhjes së provave nga ana e Prokurorisë.
Ndërhyrja në laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit u bë në datën 14 janar të vitit 2015 dhe dyshohet se ky grup i strukturuar kriminal e ushtronte veprimtarinë e tij në vend që prej një viti.
Në fund të operacionit u bllokua një magazinë ku përpunohej dhe më pas përgatitej për tregtim lënda narkotike.
Gjatë operacionit u arrestuan 11 personave mes të cilëve edhe nipi i ish-diktatorit, Enver Hoxha, Ermal Hoxha. Deri tani nga të arrestuarit janë dënuar 9 persona kurse 1 ka ndërruar jetë.
Një tjetër nga të pandehurit, Klement Dalipi, ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe është liruar nga burgu për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Në dosjen e Prokurorisë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të shoqëruara me pamjet filmike të regjistruara në distancë. Ky vëzhgim ka nisur më 19 dhjetor të vitit 2014 dhe ka vazhduar për disa ditë, me ndërprerje deri më datë 14 janar, kur edhe është ndërhyrë për arrestimin e tyre.
Aksioni për arrestimin e trafikantëve të kartelit të kokainës në Xibrakë është realizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas raportimit të autoriteteve të drejtësisë gjermane. Por operacioni është dekonspiruar pak minuta para arrestimit të tyre. Sipas raportit të vëzhgimit të datës 14 janar 2015 të mbajtur nga dy agjentë të policisë, përshkruajnë momentin kur Genc Xhixha ishte nisur drejt Elbasanit. Por një mesazh telefonik i dërguar në telefonin e tij, në ora 10:35 minuta, ka bërë që ai të rrotullohet dy herë te rrethrrotullimi i “TEG”-ut dhe më pas është larguar me shpejtësi drejt Tiranës.
Ai moment ka qenë i fundit kur është parë Xhixha nga agjentët e policisë, pasi ka arritur të largohet i pashqetësuar. Vetëm pak orë më pas, në raportin e vëzhgimit në laboratorin e Xibrakës, agjentët kanë konstatuar se tre nga të dyshuarit po derdhnin fuçitë e mbushura me një solucion ngjyrë blu nga mbrapa magazinës. Në këtë kohë është ndërhyrë, duke i arrestuar, ku edhe është konstatuar se ata po derdhnin solucionet ku brenda kishte tretësira kokaine.

Exit mobile version