Partia Demokratike ka reaguar dje për trafikun e drogës të komandantit të postës së Policisë së Thethit, drogën drejt Greqisë dhe lidhjet policore dhe qeveritare me këtë trafik. Sekretari i Përgjithshëm i PD, bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, brenda ditës një shef policie në Theth u kap me 10 kg hashash, ndërsa në Greqi u bllokuan 551 kg drogë e trafikuar nga Shqipëria. “Ditë e mbushur me kanabis dhe lidhje policore e qeveritare me trafikun. Një shef policie në Theth, ishte po ashtu shef i trafikut të drogës. 10 kg hashash në makinë mbante. Po sot, zbulohet sasi e madhe droge në brigjet e Korfuzit, e mbërritur nga Shqipëria. Gjithsej 551 kg marijuanë. Në fshatin Filat të Igumenicës u kapën 75 kg të tjera dhe në Patra 151 kg marijuanë e ardhur nga Shqipëria”, deklaroi Ristani.
Ristani tha më tej se, Shqipëria mbillet me drogë nga jugu në veri pasi kumbarët kanë zyrat në Kryeministri e në Ministrinë e Brendshme. “Kur kumbarët e krimit janë në qeveri, kur kumbarët kanë zyrat në Kryeministri e në Ministrinë e Brendshme, Shqipëria mbillet me drogë nga jugu në veri, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për prodhimin e marijuanës, Shqipëria është vend tranzitimi i drogave të forta, droga është kronika e përditshme e lajmeve mediatike, droga është pas vrasjeve terorriste, droga është pas tritoleve. Por ne s’pyesim se kemi shefin e madh lider ballkanik dhe botëror, sportist dhe piktor me famë, super miliarder me euro. Sidomos tani që fitoi dhe referendumin s’ka më halle ky vend”, përfundoi Ristani.
Oficeri i policisë, Zef Mirashi, 49 vjeç, u kap duke transportuar një sasi lënde narkotike, prej rreth 10 kg. Mësohet se ky oficer police ishte komandant i Postës së Policisë së Vermoshit. “Zef Mirashi që mbante gradën nënkomisar, ishte me detyrë komandant i Postës së Policisë së Vermoshit në Drejtorinë Vendore të Policisë në Shkodër”, bëri të ditur policia.
Ndërkohë, po dje një sasi e madhe droge u zbulua në brigjet e Korfuzit. Mësohet se policia greke gjatë një aksioni në ujërat shqiptaro-greke për kapjen e një skafi, bëri të mundur që në plazhin Lliovasilema, të gjejë 19 çanta me 253 pako me droge. Ndërsa gjatë një operacioni në plazhin Almiros, u gjet dhe një çantë me 22 pako lëndë narkotike.
Gjithsej droga llogaritet në 551 kg e 155 gr marijuanë. Burime nga policia greke bënë të ditur se bëhet fjalë për një gomone që ka tentuar të zbarkojë në brigjet italiane, por teksa është pikasur personat që ishin në të e kanë hedhur drogën në Korfuz. Të njëjtat burime pohuan se gomonia drejtohej nga dy persona dhe është futur nga Shqipëria.
Po dje u kapën në Patra dhe 143 kg e 651 gr marijuanë, ndërsa në pranga ranë dy persona. Bëhet e ditur se transportuesit po tentonin të kalonin drogën me furgon frigorifer përmes tragetit për Itali. Të arrestuarit janë një 51-vjeçar grek dhe një shqiptar, 33 vjeç. Ky i fundit rezulton në kërkim nga Interpoli. Policia greke sekuestroi 2200 euro, 9 celularë e disa dokumente të falsifikuara.