Revolta, naftëtarët bllokojnë rrugën: “Duam paratë tona”!

Më shumë se 500 punonjës të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh protestuan dje para Prefekturës në Fier, me pankarta në duar dhe me thirrje “duam bukë”, “duam punë”, “duam paratë tona”, etj. Naftëtarët janë përleshur me policinë pasi janë zhvendosur nga sheshi para Prefekturës dhe kanë bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale Fier-Vlorë. Situata është rënduar më tepër kur policia arrestoi 5 drejtuesit e protestës, si dhe kreun e sindikatës së naftës, Kamber Iljazi.
Gjatë protestës, naftëtarët kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për marrjen e 8 pagave të prapambetura dhe rifillimin nga puna të uzinës. “Kompania ARMO u privatizua më 27 nëntor të 2008. Aktiviteti ynë disavjeçar nuk u mor në konsideratë. Trualli ku është ndërtuar dhe instaluar kjo kompani nuk u mor parasysh dhe u shndërruam pothuajse në mekanizma fitimprurës për pronarët që shteti ynë na i bëri peshqesh”, tha një naftëtar.
Në këtë uzinë ka punonjës që punojnë prej 40 vitesh dhe tani janë në dëshpërim për shkak se kanë humbur të vetmen mundësi jetese. “Ka humbur durimi! Ne nuk durojmë dot më. Të gjithë janë pa punë, fëmijët janë pa shkollë, të sëmurë jemi”, tha një naftëtar tjetër.
Për të qenë më bindës, naftëtarët protestues, i kanë dedikuar dhe disa vargje, kreut të qeverisë Rama. “Sot protestojmë përpara Prefekturës në Fier për bukën e gojës. Ka ardhur momenti që ne jemi dorëzuar. I bëj thirrje Kryeministrit meqenëse është bërë bukur këtu në Fier të më hapë një dhomë se jam viti i gjashtë. Të paktën të siguroj bukën e gojës”, u shpreh një tjetër protestues.
Sipas tyre aq shumë është rënduar ekonomia familjare sa kanë hequr edhe fëmijët nga shkollat. “Nuk do t’ia dijë njeri fare që rrojmë apo nuk rrojmë. Atje punojnë 1000 burra dhe gra, llogarite sa njerëz kanë mbrapa ata që duan të hanë dhe ushqehen. Këtu bëhet luftë për mbijetesë, që nga muaji korrik që nuk kemi marrë lekët tona. S’kemi bukë të hamë”, u shpreh një nga naftëtarët gjatë protestës.
“Çuni im ka lënë shkollën se nuk kam lekë ta çoj në shkollë. Kjo nuk është e drejtë. Nuk kemi lekë më, mbaruam. Në rast se nuk zgjidhet kjo punë sa më shpejt do i përshkallëzojmë ndryshe këto punë”, tha një tjetër.
Naftëtarët thanë se kanë 40 vjet që punojnë në këtë ndërmarrje, ndërsa tani janë hedhur në mes të katër rrugëve. “Këta punëtorë kanë 40 vjet në atë ndërmarrje, janë të gjithë familjarë që mbajnë fëmijët në shkollë dhe gjithandej. Shumë familje janë detyruar të heqin fëmijët nga shkolla këto 8 muaj, edhe unë po mendohem të tërheq fëmijët nga shkolla se jam zhytur në borxhe”, tha një inxhinier.
Shumë prej punëtorëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh thonë se janë detyruar të marrin kredi për të plotësuar nevojat bazike të familjes.
Protesta është mbështetur dhe nga sindikata të pavarura. Naftëtarët u shprehën se nëse qeveria nuk merr masa për të dhënë paratë e 8 muajve, ata do të çajnë tubacionat e ujit në Ballsh për të lënë gjithë Mallakastrën pa ujë të pijshëm. Uzina e naftës ka ndalur prodhimin, ndërsa llogaritë e kompanisë janë bllokuar nga tatimet. Pas tubimit, policia shoqëroi të gjithë personat që kërkuan leje për protestën.

R.POLISI

Exit mobile version