Kompania Alko-Impex, e cila u përfshi në një sërë skandalesh me fallsifikim dokumentash për të përfituar tendera publike, vazhdon të fallsifikojë dokumenta dhe të fitojë tendera publikë. Madje edhe kur fallsifikimet e saj zbulohen, Alo-Impex vazhdon të mbajë kontratat e fituara padrejtësisht.
Rasti më i fundit është në lidhje me fitimin e një kontrate tre vjeçare nga Bashkia Tiranë për pastrimin e një pjese të qytetit.
Më datën 9 mars 2018, Alko-Impex u shpall fituese e tenderit për pastrimin e zonës Tirana III, për periudhën 2018-2021, më vlerë rreth 4 milionë euro dhe më 12 mars 2018 Bashkia Tiranë lidhi me të kontratën e shërbimit.
Tenderi ishte hapur më datën 19 korrik 2017, dhe pavarësisht periudhës së papërshtatshme të zgjedhur për konkurim nga Bashkia Tiranë, deri më 4 shtator 2017, afati i fundit për ofertat, paraqitën ofertat nëntë kompani. Më 27 shtator 2017, Bashkia Tiranë vlerësoi ofertat. Alko-Impex kishte paraqitur çmimin e pestë më të lartë në konkurim mes nëntë ofertave të paraqitura. Por Bashkia Tiranë skualifikoi të tetë kompanitë e tjera, për mos plotësim të kushteve tenknike ose dokumentacionit dhe shpalli automatikisht fituese Alko-Impex.
Pas shpalljes së fituesit, dy nga kompanitë pjesëmarrëse Victoria Invest shpk dhe Shpresa shpk u ankimuan në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP) pranë Kryeministrisë.
Në hetimin e vet, KPP gjeti se Shpresa shpk ishte përjashtuar padrejtësisht nga tenderi pasi plotësonte të gjitha kushtet e kërkuara. Ndërsa Victoria Invest shpk ndonëse u ankimua nuk paraqiti arsyetim dhe dëshmi për të mbështetur ankimin e saj, ndaj ai nuk u mor në shqyrtim nga KPP.
Si përfundim, me vendimin 781/2017, KPP urdhëroi autoritetin kontraktor Bashkia Tiranë, “të anullojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) për skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë Shpresa shpk & Dion Texnikh A.E., si dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara…duke e kualifikuar këtë bashkim operatorësh ekonomikë”.
Kualifikimi i Shpresa shpk, e cila kishte oferte ndjeshëm më të lirë se Alko-Impex, duhet të çonte në shpalljen e saj fituese të tenderit, por Bashkia Tiranë vendosi të mos e zbatojë vendimin e detyrueshëm të KPP-së. Kështu, Bashkia Tiranë nënshkroi kontratën me Alko-Impex, më 12 mars 2018.
Për shkak të këtij injorimi të vendimit të KPP, Shpresa shpk i bën kërkesë të re APP-së për nisjen e hetimit administrativ kundër Alko-Impex për “keqinformim dhe për paraqitje të dokuementave që përmbajnë të dhënë të rreme për qëllime kualifikimi”.
Mbas hetimit admisitrativ, APP arriti në përfundim se Alko Impex shpk kishte paraqitur dokumente me të dhëna të rreme në tenderin për pastrimin e zonës III Tiranë dhe me vendimin 103 datë 09.10.2018 vendosi përjashtimin për tre vjet nga çdo lloj konkurimi publik të kompanisë Alko-Impex.
Si rezultat i këtij vendimi, Bashkia Tiranë duhet të ndërpresë menjëherë kontratën me Alko-Impex dhe të këkrojë ndjekje penale të administratorëve të saj.
Por, Bashkia Tiranë ka refuzuar ta bëj këtë gjë dhe Alko-Impex vazhdon të paguhet nga Bashkia Tiranë për një kontratë 4 milion euroshe të fituar në mënyrë të paligjshme.
Cila është arësyeja që kjo kompani është mbi ligjin? Shpjegimi më i mundshëm është se fakti se, sikurse kemi bërë të njohur më parë, kompania është në pronësi formale të Arbër Abazit, nipit të deputetit socialist Sadri Abazi.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se Alko-Impex ka një histori të përsëritur të fallsifikimit të dokumentave për të përfituar në mënyrë të paligjshme kontrata publike.
Në prill të 2018, po APP kishte përjashtuar Alk-Impex nga konkuriemt publike ëpr një periduhë 1-3 vjecare, pasi kishte përdorur dokumenta të rreme në një tender të Bashkisë Elbasan për pastrimin e qytetit të Elbasanit.
Vendimi i APP-së për këtë rast shprehet se Alko-Impex kishte ndërmarrë veprime veprime korruptive dhe ka patur dënime penale dhe mospërmbushje të detyrimeve penale.
Pas vërtetimit të dokumentave të rreme, Bashkia Elbasan paditi penalisht kompaninë, por nuk është e qartë se cila ka qenë fati i padisë.
Nga viti 2014 deri më 2017, kompania Alko Impex Construction ka përfituar rreth 10,8 milionë euro kontrata publike nga 7 bashki të majta, kryesisht me objekt pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit. Ndër to 6 kontrata i ka fituar nga Bashkia Tiranë, me vlerë totale prej afërssiht 6 milionë euro.
Ligjërisht, Bashkia Tiranë duhet të anullojë të gjitha tenderat me Alko-Impex, por me sa duket kjo gjë nuk do të ndodhë për shkak të lidhjeve politike të kompanisë me qeverinë dhe kryebashkiakun Veliaj.