Skandali me Donika Prelën, bleu tokë në Petrelë me çmimin e një paketë cigare!

Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton pronare e një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrorësh tokë në zonën e preferuar të Petrelës në Tiranë, të cilën e ka blerë me vlerën e 350 mijë lekëve të reja, ose 350 lekë/m2, aq sa kushton një paketë cigare.
Kjo blerje, shumë interesante për financat e Donika Prelës, por shumë e dyshimtë për shkak të cmimit anomalisht të ulët është realizuar në vitin 2013 dhe toka është regjistruar në emër të bashkëshortit të saj, Vangjel Prela.
Në deklaratën e pasurisë për vitin 2013, të dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), “personi i lidhur” me prokuroren Prela, bashkëshorti i saj, ka deklaruar: “Blerje sipërfaqe toke 1000 m2, vendondodhja Petrelë, Tiranë, me vlerë 350.000 lekë“. Formularët e pasurisë së shefes së Prokurorisë për Krime të Rënda gjenden të publikuara në portalin informativ “Opendata.al”
Çmimi i deklaruar nga Vangjel Prela për blerjen e tokës në Petrelë, rreth 2 euro për metër katror, rezulton të jetë shumë herë më i ulët se sa vlera e pronës në atë zonë të Tiranës, e preferuar për ngritjen e komplekseve rezidenciale të banimit apo të shërbimeve restorant e hoteleri.
Madje, ky çmim, me të cilin familja Prela është bërë pronare e 1000 m2 në Petrelë, është shumë herë më i ulët edhe se sa është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në kohën e kryerjes së këtij transaksioni.
Në një Udhëzim të muajit Mars 2013, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se vlera e tokës në zonën e Petrelës është mesatarisht 3560 lekë/për metër katror.

Pra, sipas këtyre përcaktimeve, rezulton se Vangjel Prela, bashkëshorti i Donika Prelës, e ka blerë tokën me një çmim 10 herë më të lirë se sa çmimi i referencës i përcaktuar nga Qeveria.
Ndërkohë, në terren, çmimi i një metri katror tokë në zonën e Petrelës është edhe më i lartë se sa ai që ka përcaktuar qeveria në vitin 2013. “Boldnews.al” verifikoi të dhëna të publikuara në agjencitë imobiliare, nga të cilat rezulton se çmimi i tokës në zonën e Petrelës varion nga 35-45 euro për metër katror.
Petrela është një nga zonat më të preferuara në vitet e fundit nga biznesmenët e fuqishëm, të cilët e shohin si një hapësirë me potencial të lartë zhvillimi. Shumë afër Tiranës, në një zonë të gjelbëruar, Petrela vlerësohet si një nga perlat e natyrës së kryeqytetit shqiptar. Për shkak të pozitës gjeografike, si edhe bukurive të saj, çmimet e tokës në zonën e Petrelës janë ndër më të lartat në periferinë e Tiranës.
E megjithatë, shefja aktuale e Prokurorisë për Krime të Rënda, në kohën që ka qenë prokurore e Anti-Korrupsionit në Prokurorinë e Durrësit, ka arritur të sigurojë një tokë 1000 m2, me një çmim minimal prej 350 lekë për metër katror, aq sa kushton një paketë cigare ose një kafe në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Donika Prela, që prej muajit Mars 2018, është në verifikim, në kuadër të procesit të Vetingut. Në një shkrim të mëparshëm, “Boldnews.al” publikoi një tjetër transaksion të dyshimtë të kryer nga familja Prela. Në vitin 2014, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj blenë një apartament në Durrës, në vlerën 1.4 milionë lekë dhe e shitën brenda 10 muajve për një çmim disa herë më të lartë, 4 milion lekë.
“Boldnews.al”

dokuemnti i blerjes

Exit mobile version