Kompania me 1 punonjës që mori miliarda nga shteti për votimin elektronik

Një javë pasi departamenti amerikan i Drejtësisë vuri zyrtarisht nën akuzë kompaninë Smartmatic për shkak se i pagoi 1 milionë dollarë rryshfet kryetarit të KQZ-së në Filipine, SPAK nxitoi të niste veprimet hetimore edhe në Shqipëri. Nuk dihet nëse dy ngjarjet janë të lidhura, por me shumë gjasa hetimi kriminal në SHBA i ka dhënë kurajo edhe SPAK të nis hetimet ndaj një kompanie me pronarë amerikanë.

Kompania Smartmatic u kontraktua për herë të parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vitin 2021. Tenderi u shpall fillimisht në dhjetor të vitit 2020. Pastaj përmes një procesi të mbyllur me negocim të drejtëpërdrejtë, KQZ përzgjodhi si fituese për të implementuar sistemin e identifikimit dhe votimit elektronik kompanine Smartmatic kundrejt shifrës 19 milionë euro.

Dyshime për brokerim në shkelje të kontratës

Për të zbatuar kontratën, kompania Smartmatic themeloi në Shqipëri shoqërinë Smartmatic Albania. Kjo kompani ka vetëm një punonjës, që është dhe administratori i saj, një person i quajtur Frans Harm Gunnik. Kjo ka ngritur dyshime për skemë brokerimi, për shkak të pamundësisë së ngritjes së sistemit elektronik të votimeve nga një kompani që kishte vetëm një punonjës. Por dyshimet shtohen edhe më shumë nga një tjetër faktor.

Ndonëse kontrata mes KQZ dhe Smartmatic mbahet sekrete, një kërkesë zyrtare për informacion nga KRIIK ndaj KQZ-së, ka zbuluar një detaj shumë interesant. Kjo kontratë nuk lejonte nënkontraktimin në palë të treta. Pra sipas saj, kompania Smartmatic ishte e detyruar që të ngrinte vetë të gjithë sistemin si dhe teknologjinë përkatëse që do të bënte të mundur identifikimin elektronik të votuesve.

Kapitali analizoi bilancet zyrtare të Smartmatic. Të dhënat në bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit sinjalizojnë se Smartmatic ka nënkontraktuar pjesën dërrmuese të kontratës tek palë të treta.

Në vitin e parë të operimit, atë 2021, kompania arkëtoi 8.9 milionë euro nga KQZ. Por 7.9 milionë euro i klasifikoi në zënrin e shpenzimeve të tjera. Kompania raportoi 4.7 milionë euro si shpenzime teknike për implementimin e sistemit zgjedhore dhe 2.2 milionë euro të tjera si shpenzime për shërbim IT. Kapitali ka provuar se një pjesë e madhe e këtyre shpenzimeve janë kontraktuar nga kompani në Shqipëri dhe Kosovë në kundërshtim me parashikimet kontratës.

Brokerimi i punëve publike përmes kompanive të huaja është shndërruar një nga format më të shpeshta të korrupsionit në tenderat èpublikë. Tashmë SPAK është duke hetuar dy kontrata të kompanisë Smartmatic në Shqipëri pikërisht për shkak të dyshimeve për korrupsion./Kapitali.al

Artikulli paraprakAksidentet, në janar-korrik u rritën me 39.8%, shkak sjellja e drejtuesve të mjeteve
Artikulli tjetërTë paktën 24 vende të BE-së kanë probleme me mungesën e mësuesve – ja pse