Komuniteti shqiptar, protestë në Bruksel për zgjedhje të lira

Komuniteti shqiptar në Belgjikë do të organizojë në Bruksel një manifestim, i cili do të jetë në mbështetje të protestave qytetare që po zhvillohen në Shqipëri që prej datës 18 shkurt 2017. Sipas organizatorëve, qëllimi i këtij manifestimi është sensibilizimi i institucioneve europiane për rreziqet që po i kanosen votës së lirë dhe demokracisë në Shqipëri. Manifestimi do të zhvillohet ditën e hënë më 6 mars 2017, ora 14:00, në Sheshin “Schuman”, përballë Komisionit Europian në Bruksel.
Organizatorët e protestës thonë se manifestimi para zyrave të KE në Bruksel do të zhvillohet kundër mafias shtetërore, kundër krimit, kundër trafikut dhe drogës, kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së votës. Po ashtu, sipas organizatorëve, protesta zhvillohet për zgjedhje të lira, për shtetin e së drejtës, për qeverisje të ndershme, për mbrojtje të qytetarëve, për liri dhe demokraci.
“Komuniteti shqiptar në Belgjikë u bën thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Belgjikë dhe vendeve përreth, për të marrë pjesë në këtë manifestim, duke treguar kështu ndjenjën tonë të solidaritetit dhe përgjegjësisë tonë qytetare e atdhetare”, apelon këshilli organizues.
Manifestimi i komunitetit shqiptar në Belgjikë është përshëndetur edhe nga ish-Kryeministri Berisha. “Protestë madhështore e komunitetit shqiptar të Belgjikës në mbështetje të lëvizjes demokratike të Shqipërisë!”, shkruan Berisha në një postim në rrjetin sociale Facebook.
Që prej datës 18 shkurt, qytetarët shqiptarë po protestojnë para Kryeministrisë. Lideri i opozitës Basha ka kërkuar qeveri teknike për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Protesta është mbështetur edhe nga mjaft faktorë ndërkombëtarë. Para pak ditësh protesta e opozitës u përshëndet edhe nga Kryetari i të Rinjve Kristian Demokratë gjermanë, Paul Zimiak dhe kryetari i Unionit të të Rinjve të Djathtë Europianë, Javier Hurtado Mira. Ata morën pjesë në protestën tek Sheshi i Lirisë dhe shprehën mbështetjen për qëndresën dhe Lulzim Bashën. Zimiak është një nga drejtuesit e partisë së Kancelares Merkel. Mesazhi i tij është një nga mesazhet më të fortë që është dhënë gjatë këtyre ditëve të protestës qytetare që kërkon garantimin e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e një qeverie teknike. Javier Hurtado Mira i kërkoi Edi Ramës të lërë qeverinë dhe i kërkoi Ilir Metës të ushtrojë përgjegjësitë e tij, nëse është socialist i vërtetë.
Të enjten iu bashkua protestës tek Sheshi i Lirisë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Rinisë së Partisë Republikane në SHBA, Jason Emert. Gjatë fjalës së tij, Emert shpalli mbështetjen e partisë që ai përfaqëson për kërkesat e opozitës dhe për liderin Basha, duke u shprehur se ai do të jetë kryeministri i vendit. Jason Emert në mes të entuziazmit të të pranishmëve, u bëri një thirrje të fortë shqiptarëve për të shporruar bandën në pushtet. Drejtuesi i të rinjve republikanë, Emert u shpreh se ka udhëtuar nga mijëra kilometra larg vetëm për t’ju bashkuar protestës së opozitës, por dhe për të lajmëruar të gjithë shqiptarët se, Basha do të jetë kryeministri i ardhshëm i këtij vendi.

R.POLISI

Exit mobile version