Ministria e Mjedisit pranon: Plehrat u futën në Shqipëri

Ministria e Mjedisit pranoi dje se në Shqipëri janë futur plehra nga Italia. Ministria i ka kthyer përgjigje letrës së Aleanca Kundër Importit të Plehrave ku kërkonte informacion nëse ka pasur tranzit konteinerësh me mbetje gjatë vitit 2014-2016. Sipas Ministrisë së Mjedisit, ka patur import mbetjesh, por jo mbetje të rrezikshme, pasi futja e tyre në Shqipëri është e ndaluar me ligj. Por mediat italiane shkruajnë se, mes mbetjeve që janë transportuar nga Italia tranzit nëpërmjet Shqipërisë drejt Maqedonisë ka patur edhe mbetje të rrezikshme.
Mediat italiane shkruajnë se 1300 konteinerë me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga Italia drejt Maqedonisë, dyshohet se janë groposur në Shqipëri. Ndërsa ministria në përgjigjen dërguar AKIP thekson se nuk është njohur në rrugë zyrtare për humbje të konteinerëve. AKIP është njohur nga Ministria e Mjedisit me listën e subjekteve të autorizuara për konteinerët në vitet 2014-2016.
Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur shqetësimin për lajmet që qarkullojnë së fundmi lidhur me mundësinë e tregtimit dhe groposjes së konteinerëve me mbetje në territorin e Shqipërisë si rrjedhojë e tranzitit të tyre nga Italia për në Maqedoni. Në një deklaratë për mediat dhënë përpara Prokurorisë së Përgjithshme, një zëdhënës i AKIP u shpreh se bëhet fjalë për një shqetësim që meriton vëmendje: “Për këtë arsye i kërkuam sot Prokurorisë që të na japë një informacion, nëse ka nisur një hetim siç kanë bërë vendet fqinje dhe nëse nuk ka nisur një hetim i tillë, ne si Aleancë kërkojmë që të nisë sa më shpejt hetimi i çështjes që ka ndjeshmëri të madhe në publik dhe padyshim rrezik të madh nëse është e vërtetë”.
“A ka pasur tranzit konteinerësh me mbetje në 2014-2016? Cilat pika doganore janë përdorur për kalimin e mbetjeve? A keni informacion për konteinerët e mbetur në territorin tonë? A është nisur procesi hetimor për këtë çështje?”, janë disa prej pyetjeve të AKIP në letrën drejtuar Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Financave dhe kryeprokurorit Llalla.
Për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe ish-kryeministri Berisha. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Berisha thotë se në qendër të këtij superskandali qëndron vetë Edi Rama. Edi Rama në qendër të superskandalit të groposjes së mbi 30 mijë tonelatave helme të rrezikshme në Shqipëri! Të dashur miq, superskandali i mbi 1300 konteinerëve me helme të rrezikshme të nisur për Maqedoni, por që u “zhdukën” në Shqipëri, ka mbushur dje dhe sot faqet dhe ekranet televizive të Italisë. Kështu “Rai News 24”; “SkyTg 24”; emisionet e lajmeve të “Mediasetit”; gazeta më e vjetër e Italisë “Roma”, jepnin alarmin për zhdukjen në Shqipëri të mijëra konteinerëve me helme të rrezikshme në Shqipëri. Në Parlamentin italian ka nisur hetimi për këtë superskandal. Burime të sigurta njoftojnë se Rama drejtoi vet direkt operacionin e futjes së tyre sekret nga doganat e Shqipërisë! I bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për këtë superskandal që mund të ketë pasoja katastrofike për shqiptarët”, shkruante Berisha.

Prokuroria: Ka elementë të mjaftueshëm për hetim

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet, pas publikimit në mediat italiane dhe shqiptare për 1300 konteinerët me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga Italia drejt Maqedonisë, por dyshohet se janë groposur në Shqipëri. Fillimisht hetimet nisën nga Prokuroria e Durrësit, por për mungesë kompetencash, ajo ia kaloi çështjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vendimin e Prokurorisë së Durrësit thuhet se, nga denoncimet e bëra në media dhe nga të dhëna të tjera, ka elementë të mjaftueshëm që të nisin hetimet. Po kështu, investigimi në vazhdim do të hedhë dritë nëse do të zbulohen persona përgjegjës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se, ka nisur hetimet për tre akuza, atë të “shpërdorimit të detyrës”, “transportit të mbetjeve toksike” dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për llogari të këtij hetimi, mesditën e djeshme dy oficerë të Prokurorisë për Krime të Rënda kanë zbarkuar në Portin e Durrësit. Burimet thonë se, ata kanë sekuestruar të gjithë praktikat e hyrjeve tranzitore në Shqipëri që kishin me destinacion final Maqedoninë. Pasi edhe publikimet në mediat italiane, hedhin dyshime se konteinerët e mbushur me mbetje toksike janë nisur nga Bari me destinacion landfillin e Drislës në Maqedoni, por që hedhin dyshime se ata janë groposur në vende të ndryshme në Shqipëri.
Burimet nga akuza, hedhin dyshime se grupe të caktuara kriminale në Itali, për shkak të groposjes së tyre në zona të caktuara atje, kanë përpiluar dokumente të falsifikuara që tregojnë se ata janë nisur nga Italia për t’ju shmangur hetimit në shtetin e tyre. Pasi edhe landfilli i Drislës në Maqedoni, thonë burimet, prej dy vitesh është mbyllur. Për informacionin e mbetjeve toksike, Prokuroria mësohet se i ka kërkuar të dhëna edhe Shërbimit Informtiv Shtetëror.
Burimet e Prokurorisë bëjnë të ditur se do të kërkohet bashkëpunim edhe me homologët italianë, të dhëna nëse janë nisur konteinerë me mbetje toksike drejt Shqipërisë apo me destinacion Maqedoninë gjatë vitit 2016. Nëse po, të evidentohen numrat konkret të çdo konteineri për t’i verifikuar nëse ata kanë mbërritur në portet shqiptare apo edhe kanë dalë nga Shqipëria drejt destinacionit të tyre. Po ashtu do t’u kërkohet doganave italiane për të gjithë konteinerët dhe ngarkesën e tyre të nisura drejt Shqipërisë që më pas të krahasohen me statistikat shqiptare.
Fillimisht lajmi u publikua nga “Pianet Italia”, ndërsa më pas ishin edhe disa media të tjera në Itali që dhanë alarmin.
Gazeta më e vjetër atje, “Roma” shkruante dy ditë më parë për zhdukjen në Shqipëri të 1300 konteinerëve që janë nisur sipas saj nga Italia e Jugut  për t’u ricikluar drejt Maqedonisë, duke hedhur dyshime të forta se ky trafik ndodh me miratimin e qeverisë. Po ashtu dhe rrjeti i televizionit “SkyNews”, apo “Rainews24” e kanë trajtuar këtë çështje në edicionet e tyre informative.

Drejtoria e Doganave fsheh skandalin

Një ditë më parë, Drejtoria e Doganave deklaroi se gjatë vitit 2016 ka patur tranzit të konteinerëve me mbetje. Sipas Drejtorisë së Doganave, “këto tranzite kanë kaluar në doganën shqiptare me doganë hyrëse Durrësin, dhe doganë dalëse Qafë Thanën, dhe këto tranzite rezultojnë të mbyllura në sistemin elektronik”.
Por specialistët shprehen se në sistemin elektronik të doganave shqiptare, kjo procedurë është mbyllur nga vetë punonjësit e doganave që kanë akses në këtë sistem, siç janë mbyllur dhe mbyllen në mënyrë fiktive shumë procedura tranzite, të kafes, cigareve, dhe mallrave të tjera me akcizë.
Specialistët kërkojnë që organi i akuzës t’i kërkojë Doganës së Maqedonisë në Qafë-Thanë rakordimin e dokumentat e tranzitit. Hetimi në doganën maqedonase në Qafë-Thanë do të zbulojë të vërtetën e hidhur se çfarë janë bërë me këta konteinerë dhe çfarë bëhet me tranzitet në Shqipëri. Ka dyshime se dogana shqiptare e Qafë Thanës i ka regjistruar sikur kanë kaluar kamionët me mbetje drejt Maqedonisë, por në fakt nuk kanë kaluar.
Një specialist doganash bëri të ditur se ka patur mjaft raste ku gjysma e tranziteve përfundojnë jo në destinacion, por magazinohen në Shqipëri, duke i shpëtuar kështu zhdoganimeve doganore, dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej qindra milionë euro në vit. I takon Prokurorisë të kontrollojë këtë skandal me pasoja financiare, por më shumë për jetën e shqiptarëve, nëse nuk e mbyllin si skandalet e tjera.
Hetim parlamentar në Romë për zhdukjen e plehrave në Shqipëri

Në Romë, kryetari i Komisionit hetimor parlamentar mbi veprimtaritë e paligjshme, që lidhen me plehrat, Alessandro Bratti, pohon për gazetën Roma, se ka një hetim në zhvillim të plotë, për trafikun ndërkufitar të plehrave. Përfshirë edhe për 1300 kontenerët e interceptuar si të “zhdukur” në Shqipëri. Në ditët në vijim priten zhvillime të rëndëisishme në këtë hetim.
Përfshirja e Eko-Mafias, në trafikun ndërkombëtar të plehrave të rrezikshme, nuk rresht së trondituri dhe habituri të gjithë. Hetimi më i fundit i Drejtorisë antimafia të Reggio Calabria-s, ka pikërisht emrin e koduar “Ekosistemi”, ku edhe dokumentohet interesi i organizatës kriminale “Ndragheta”, për eksportet ndërkombëtare të plehrave.
Zhdukja “misterioze” në Shqipëri i 1300 konteinerëve të mbushur me mbetje të rrezikshme ka bërë jehonë, edhe në median maqedonase. Gazeta “Telegraf.mk” shkruan se vendi i tyre, është i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë skandal të zbuluar nga media italiane. Sipas tyre, këto konteinerë kanë hyrë në Portin e Durrësit me destinacion Shkupin, por në fakt nuk kanë kaluar në doganën e Qafë Thanës.
Sipas tyre, konteinerët dyshohet se kanë mbetur në Shqipëri dhe janë zhdukur në këtë vend, por që nuk dihet se ku. Gjithashtu mësohet se një grup gazetarësh maqedonas kanë nisur investigimin për landfillin e Shkupit, më i madhi në Europë, nëpërmjet të cilit si destinacion, dyshohet se janë falsifikuar dokumentet e tranzitit nëpër Shqipëri, të 1300 konteinerëve që s`kanë mbërritur kurrë aty dhe dyshohet, se janë groposur në vendin tonë.

R.POLISI

Exit mobile version