Koncesioni i laboratorëve iu dhurua ortakut të Vilma Nushit

Koncesioni i laboratorëve është fituar nga kompania “Labopharma”, me aksioner të vetëm Janis Karathano, ortak i Vilma Nushit, i cili është aksioner i vetëm edhe i kompanisë “Pegasus”, drejtuese e së cilës është Nazife Bello, e ëma e drejtoreshës së Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë, Shpresa Bellos. Sipas një hulumtimi të “Hashtag.al”, kompania “Pegasus” shpk, rezulton e lidhur me drejtoreshën e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë, Shpresa Bello dhe ka përfituar miliarda nga koncesionet dhe prokurimet e dhëna nga ministria në 4 vitet e fundit.
Kompania “Pegasus” shpk, rezulton e lidhur dhe me koncesionin e rëndësishëm të check up-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi. Nga dokumenti ku janë klasifikuar operatorët që kanë marrë pjesë në koncesionin 130 milionë dollarë të laboratorëve, janë kualifikuar vetëm 3 bashkime operatorësh, ndërsa të skualifikuar janë: Spitali Amerikan, Montal, Genius, Fedos dhe Biometric Albania.
Kompania “Labopharma” që ka fituar koncesionin e laboratorëve ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj. Në vitin 2015, qarkullimi i saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit. Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive. Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë euro, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie. Koncesioni 130 milionë dollarësh i laboratorëve do të zgjasë 10 vjet.

Aferat e Nushit me drejtoreshën e Farmaceutikës

Sipas dokumenteve të publikuara në portalin “Hashtag.al”, Shpresa Bello, aktualisht në detyrën e drejtoreshës së Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë mësohet se në katër vitet e fundit ka përfituar miliarda lekë nga koncesionet dhe prokurimet e kryera nga ministria ku aktualisht është drejtuese e lartë. Gjithçka falë kompanisë farmaceutike të lidhur me familjen Bello.
Por më herët, po sipas “Hashtag.al” dhe një dokumenti që ky portal ka siguruar, “Pegasus” shpk, ka pasur si drejtuese shtetasen, Nazife Bello. Nazife Bello sipas të dhënave të siguruara është mamaja e znj. Shpresa Bello, aktualisht drejtoreshë e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Në vitin 2013, kompania “Pegasus” e ka shpërblyer znj. Bello me një bonus prej 114 mijë eurosh, për punën e mirë që ajo ka bërë në krye të kompanisë. Por ajo që të bën përshtypje në dokumentet e siguruara dhe që përforcon bindjen se kemi të bëjmë me lidhje klienteliste në majat e pushtetit, është fakti se, kompania “Pegasus” ku më herët drejtonte shtetasja Nazife Bello, mamaja e drejtoreshës aktuale të Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë znj. Shpresa Bello, ka një bashkëpunim të rëndësishëm me koncesionin e shumëpërfolur të check up-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi.
Po sipas një raporti auditimi të kompanisë “Deloitte&Touche” për koncesionin e check up-it, në vitin 2013 kompania “Pegasus” i ka dhuruar znj. Nushi pajisjet laboratorike për check up-in, ndërsa znj. Nushi në këmbim ka pasur detyrimin që të blejë tek firma “Pegasus” të gjithë reagentët që i duheshin, ku mësohet se granti i deklaruar midis dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë. Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës “Pegasus” është koncesioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznes i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve. Ndonëse Qendra e Transfuzionit të Gjakut e ka paraqitur këtë kontratë si një prokurim, përtej kundërshtive të ekspertëve rezulton se, marrëveshja në fakt është një kontratë ekskluzive koncesionare 2-vjeçare. Nga ana tjetër, shqyrtimi i prokurimeve publike në vitet 2013-2016, tregon se kompania “Pegasus”, e lidhur me drejtoreshën Bello, ka përfituar tendera në vlerën e 3.5 milionë dollarëve nga disa institucione spitalore.

Exit mobile version