Ministri Xhafa kërcënon Llallën: “E kalove cakun”

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa kërcënoi dje Kryeprokurorin Adriatik Llalla për drogën. Prokurori i Përgjithshëm deklaroi para katër ditësh se, droga e sekuestruar po asgjësohet nga policia pa praninë e prokurorëve, duke hedhur dyshime për destinacionin e saj. Por ministri i Brendshëm në vend që të përgjigjet pse policia asgjëson drogën e sekuestruar pa praninë e prokurorëve, hidhet në sulm ndaj Kryeprokurorit njëlloj si mafia e narkotrafikut. Në një letër të hapur drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Xhafa e kërcënon atë duke i kujtuar, “shkeljet e pretenduara… kalojnë cakun e përgjegjësisë administrative”.
Kryeprokurori Adriatik Llalla, në një prononcim publik të tri ditëve më parë tha se, “edhe mënyra e administrimit të provave materiale mbetet shqetësim. Ka mospërfshirje totale të prokurorëve në asgjësimin e lëndëve narkotike. Droga e sekuestruar nuk po asgjësohet sipas ligjit”. Kryeprokurori kërkoi hetime për të gjithë ata që asgjësojnë lëndët narkotike pa prezencën e prokurorëve. Por, ministri Xhafaj shkruan se, një shqetësim i tillë nuk i është thënë atij në takimin e përbashkët dhe nuk përmendet as në raportin e paraqitur nga Kryeprokurori në Parlament.
Në fakt ky shqetësim është ngritur nga prokurorët në disa raste, madje edhe në media, por ministri Xhafa kërkon të justifikohet se gjoja nuk është vënë në dijeni për këtë skandal të policisë. Para disa ditësh, policia në kundërshtim me Xhafën deklaroi se, “prokurorët ishin njoftuar, por nuk kishin shkuar për të asistuar në asgjësimin e kanabisit”. Kuptohet pse policia nuk njofton prokurorët të asistojnë në djegien e kanabisit të bllokuar. Qëllimi i tyre është që të fshehin drogën e sekuestruar dhe ta trafikojnë vetë.
Xhafa shkruan në letrën e tij se, “deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm cenon frymën e bashkëpunimit”, por në fakt ka qenë Prokuroria ajo që ka zbuluar tonelatat e drogës në tunelet e ushtrisë dhe magazinat shtetërore, ndërsa policia dekonspironte operacionet, duke njoftuar trafikantët që të largohen.
Xhafa në vend që t’i kërkojë Prokurorisë të hetojë zyrtarët e policisë se ku i kanë çuar tonelatat e drogës së sekuestruar, sulmon Kryeprokurorin dhe i bën presion që të mos nisë hetime ndaj zyrtarëve të policisë që janë të lidhur me trafikantët në trafikun e drogës.
Është fakt se, operacionet e ditëve të fundit për sekuestrimin e tonelatave të drogës në disa rrethe të vendit janë organizuar nga policia pas kërkesës së Prokurorisë. Gjatë këtyre operacioneve janë zbuluar edhe laboratorë modernë për përpunimin e kanabisit si në Përmet, Fier dhe Tiranë. Droga ishte futur në tunelet e ushtrisë dhe magazinat shtetërore dhe ruhej nga forca të armatosura prej më shumë se tre muajsh, ndërsa policia edhe pse ishte në dijeni nuk ndërhynte, sepse shefat e saj bashkëpunonin me trafikantët ku merrnin 30 përqindshin nga trafiku i drogës.
Pse nuk thotë asnjë fjalë Xhafa për dekonspirimin e operacioneve antidrogë nga brenda policisë, duke njoftuar trafikantët që të largohen në drejtim të paditur. Në të gjitha operacionet e kryera nuk është arrestuar asnjë nga krerët e trafikut, asnjë zyrtar policie i përfshirë në trafikun e drogës, por vetëm disa punëtorë hallexhinj dhe ndonjë çoban vetëm për faktin se magazina e drogës ndodhej në fshatin ku ai kulloste bagëtitë.
Pse nuk heton Xhafa me strukturat e tij në Ministrinë e Brendshme, se kush i dekonspiron operacionet dhe kush janë zyrtarët e policisë që para nisjes së operacionit antidrogë njoftojnë me telefon trafikantët që të largohen. Xhafës nuk i intereson ky hetim, sepse tonelatat e drogës të zbuluar nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ në tunelet e ushtrisë dhe magazinat shtetërore janë të zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Para dy ditësh kryetari i PD, Basha denoncoi faktin se, prej 3 ditësh një skaf me 3 motorë në pronësi të Habilajve ka mbetur i bllokuar në grykëdherdhjen e Ishmit. Sipas Bashës, të gjithë e dinë këtë fakt, por as qeveria, as Ministria, as policia nuk guxon të shkojë atje për t’i kapur, sepse Habilajt janë pronarët e kësaj qeverie. Xhafa heshti për këtë denoncim dhe nuk ndërrmori asnjë nismë për bllokimin e skafit dhe zbulimin e trafikantëve.

R.POLISI

Exit mobile version