Koncesioni për Rugën e “Kombit” si u prish pazari 2.7 milionë euro dhe 20% e fitimit çdo vit

Ish-Kryeministri Berisha ka bërë publik pazarin për koncesionin e Rugës së “Kombit” dhe përse Rama anuloi kontratën me kompaninë turke. Beerisha thotë se prishja e kontratës ka qenë për shkak të prishjes së pazarit, kur kompania turke reduktoi ryshfetin e parashikuar për Ramën, i cili parashikonte 2.7 milionë euro që në dorën e parë dhe 20% të fitimit të përvitshëm të kësaj kompanie nga koncesioni.
“Dy muaj më parë, pas mbylljes së tenderit ndërkombëtar për mirëmbajtjen e Rrugës së “Kombit”, pas shqyrtimit të të gjitha ofertave dhe ankesave, qeveria shpalli fituese kompaninë turke “Vendeka Bilgi” me një ofertë më të kushtueshme se sa kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tender.
Kompania turke u përzgjodh, sipas një burimi qeveritar, pasi, përveç ryshfetit direkt prej 2.7 milionë euro, u zotua për të derdhur çdo vit 20% të fitimit në kontot e fshehta të Edi dhe Olsi Ramës. Mirëpo kompania “Vendeka” më pas bëri gabimin fatal, ku, po sipas burimit ajo kërkoi që kjo %-dje të përgjysmohej, gjë që e tërboi Ramën.
Nuk dihet nëse largimi i Haxhinastos kishte lidhje me këtë zemërim, por dihet se Rama, jashtë çdo afati dhe procedure ligjore urdhëroi Sekretarin e Përgjithshëm të mafies qeveritare, Agaçi të anulojë tenderin dhe ky i fundit, me Komisionin e Prokurimit Publik zbatoi urdhërin.
Prej dy ditësh, 5 herë në ditë mediat njoftojnë se tenderi u anulua, por nuk thonë se cilat ishin arsyet që u shpall fitues kompania turke, dhe a ka lidhje largimi i papritur i Haxhinastos me këtë aferë dhe se si ka mundësi që komisioni nuk bllokoi sipas ligjit, që në krye të radhës shpalljen e fituesit dhe të njoftonte zyrtarisht vendimin e tij? Këto pyetje e kanë një përgjigje të vetme; prishjen e Ramës në pazare me kompaninë turke”, u shpreh Berisha

Firma e dytë 100 milionë euro më pak investime

Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin për dhënien e koncesionit të rrugës së “Kombit” kompanisë turke ‘Vendeka’.
Sipas këtij vendimi, koncesionin do ta marrë një konsorcium shqiptar i bashkimit të firmave “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & “Viplap Ateve& Kastrati sha”, shkruan “Monitor”.
Në këtë konsorcium janë dy ndër firmat më të njohura në Shqipëri, ‘Salillari’ dhe ‘Kastrati’.
Këto firma kanë deklaruar se ofrojnë të investojnë 217,5 milionë euro në këtë rrugë, ndërsa turqit pretendonin se do të investonin mbi 320 milionë euro.
Pra, rreth 100 milionë euro më pak.
Vendimi është marrë pas skualifikimit të firmave shqiptare nga komisioni i parë. Ato u ankuan në Komisionin e Prokurimit Publik në datën 1 gusht të këtij viti. Ministria e Transportit dhe Infrastukturës, do të ketë 10 ditë kohë për t’i shprehur Komisonit të Prokurimit Publik vendimin që do të marrë.

Anulimi i koncesionit

Komisioni i Prokurimeve Publike ka vendosur ditën e mërkurë të anulojë koncesionin e Rrugës së Kombit, që u fitua nga kompania turke “Vendeka Bigli”. Pas shqyrtimit të ankesës së bërë në Komisionin e Prokurimit Publik, nga bashkimi i kompanive të dyta në garë për këtë rrugë “Catalys and Salillari”, për skualifikim të padrejtë, Komisioni ka vendosur ta pranojë ankesën. KPP, në qëndrimin zyrtar thotë se vendosi të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Kontraktues për skualifikimin e ofertës së paraqitur nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “Catalys and Salillari” dhe të korrigjojë shkeljet duke e kualifikuar atë.
Po ashtu, në raportin e KPP vendoset të anulohet vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Kontraktues për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë, “Vendeka Bigli” dhe të korrigjojë shkeljet duke e skualifikuar atë. Komisioni i Prokurimit Publik udhëzon Autoritetin Kontraktor, që në këtë rast është Ministria e Transporteve, që të korrigjojë shkeljet dhe më pas të vazhdojë me procedurën e prokurimit të kontratës.

Çfarë thuhet në vlerësimin e Komisionit të Prokurimit Publik

Komisioni i Prokurimit Publik, pasi ka vlerësuar pretendimet e operatorëve ekonomikë ankimues ka konkluduar se ato qendrojnë.
Në këto kushte, Komisioni i Prokurimit Publik, bazuar në nenin 43 të Ligjit Nr. 125/20013 për “Koncensionet dhe partneritetin publik privat”, neni 19/1 dhe vijues të Ligjit Nr. 9643, dt 20.11 2006 “Për prokurimin publik” të ndryshuar, nenin 23 të VKM Nr.184 datë 17.03.2010 “Për miratimin e rregullores”, Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, të ndryshuar njëzëri vendosi:
– Të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech”& Viplap Ateve& Kastrati sha, përfaqësuar nga “Catalyst Viva Das Geberal Constracting LLC” për procedurën e dhënies së Koncensionit/PPP “Procedurë e Hapur” me nr.Ref.230820208 -2016”, me objekt Koncensionin/PPP për Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje dhe Rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë me fond limit 6,020,000,000 pa përfshirë vlerën e TVSH-së zhvilluar në datë 30.05.2016 nga autoriteti kontraktues Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.
– Të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të autoritetit kontraktues për skualifikimin e ofertës së paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech”& Viplap Ateve& Kastrati sha, përfaqësuar nga “Catalyst Viva Das Geberal Constracting LLC” dhe të korrigjojë shkeljet, duke e kualifikuar atë.
– Të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të autoritetit kontraktues për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vendeka Bigli Teknolojileri” Ltd& “PT Citra Marga Nusaphala Persada” Tdk& mehmet Ali Unal Insaat Taahhlil madeceiilik San Ve Tic” As & Savronik Siste, Tah.San.Tic As&” Vendeka European Investment B.V” dhe të korrigjojë shkeljet, duke e skualifikuar atë.
– Autoriteti kontraktues brenda 10 ditëve të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera.

Përplasjet për tenderin e Rrugës së Kombit

Pasi Komisioni i Prokurimit Publik ka skualifikuar nga gara për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit turqit e “Vendekës” dhe ka kualifikuar “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha”, Ministia e Transporteve e ka ankimuar këtë vendim po në Komisionin e Prokurimeve Publike. Burime zyrtare nga Ministria e Transporteve pohuan për Monitor se e kanë ankimuar vendimin të Komisioni i Prokurimeve Publike me arsyetimin se është pranuar kërkesa ankimore e palës tjetër 10 ditë pas shpalljes së rezultatit ndërkohë që afati është tre ditë. Një tjetër argument i Ministrisë së Transporteve është se firma “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha”, që fillimisht u skualifikuara dhe u kualifikua pas vendimit të Komisionit të Prokurimeve nuk plotëson kërkesat e përcaktuara nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) që ka qenë këshilluese dhe pjesë e grupit të punës. IFC ka vlerësuar kompaninë turke, pasi ajo plotësonte shumë më tepër kërkesa se konsorciumi tjetër. Burimet e Ministrisë së Transporteve thonë se aktualisht do të pritet përgjigje për ankesën e tyre në Komisionin e Prokurimeve dhe shtuan se edhe pas kësaj ministria nuk dorëzohet po do vazhdojë të mbështesë investitorin më të madh. Një ditë më parë Komisioni i Prokurimit Publik e ka pranuar si të drejtë ankimimin e bërë nga grupimi “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë. Ky vendim skualifikoi turqit e “Vendekës”, që kishin fituar më parë tenderin.  Ministria e Transportit dhe Infrastukturës, kishte 10 ditë kohë për t’i shprehur Komisonit të Prokurimit Publik vendimin që do të marrë. Pak javë më parë, për tenderin e mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morinë, Ministria e Transporteve shpalli fituese ofertën e kompanisë turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, e cila ofroi shumën 320,604,079 euro për investim, ndërsa do të subvencionohej nga buxheti i shtetit në shumën 5,600,000 euro, nëse nuk arrihej trafiku i programuar i makinave që do të taksohej. Kompania “Catalyst and Salillari”, e dyta në garën e koncesionit, ofroi shumën 217,562,056 euro për investim dhe kërkoi 4,995,000 euro subvencionim nga shteti. KPP, në qëndrimin zyrtar thotë se vendosi të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Kontraktues për skualifikimin e ofertës së paraqitur nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “Catalys and Salillari” dhe të korrigjojë shkeljet duke e kualifikuar atë.

Exit mobile version