Koncesioni sekret me 100 milionë euro

Armand MAHO

Ilir Beqaj do të përjashtohej nga Parlamenti në vitin 2011, në mandatin e tij të parë si deputet, pasi kish përfituar rreth 240 milionë lekë nga bashkia e Vangjushit të Durrësit, pak kohë pasi kish marrë mandatin në vitin 2009. Si gjithë të tjerët dhe ky ishte pikasur nga Edi Rama, për t’ju bashkuar Rilindjes. Jo më kot, Rama e kish piketuar si një nga ministrat e një sektori të ndjeshëm siç është shëndetësia ku dhe fondet janë më të mëdha. Rama e dinte mirë që nga rinia e tij e hershme, kur endeshin rrugëve të bllokut dhe luanin basketboll me Dinamon që për të fituar para Ilir Beqaj, ishte gati të bëhej kamikaz. Shëndetësia ishte tamam sektori ku i duhej Beqaj, pasi Rama e ka fantastike nuhatjen për të nxjerrë nga thesi i Rilindjes ata që dinë të vjedhin më shumë dhe në rastin e Beqajt nuk u gabua. Sapo erdhi në pushtet kompania e ministrit do të fitonte 28 tendera në një shifër që i kalon gati 10 milionë eurot. Çdo institucion, Ministria e Financave, OSHEE, Instituti i Sigurimeve, gjendjet civile, ZVRPP-të e të tjera me radhë që kërkonte të përmirësonte apo adaptonte teknologjinë e informacionit duhet të kalonte nga “Intech+”, e cila deri në nëntor të vitit 2013, pra, dy muaj pas formimit të qeverisë ishte në pronësi të vetë ministrit. Të gjitha këto kapnin vlerën e pamendueshme të 10 milionë eurove. Por makutëria e Beqajt nuk do të kishte limit! Ministria që ai drejton u bë simboli i vjedhjeve të fondeve publike me PPV-të të famshme, që s’janë gjë tjetër vetëm se një metodë për të kaluar paratë e taksapaguesve nga buxheti i shtetit tek privati. Një nga më të përfolurit është ai Vilma Nushit, plot 120 milionë euro për 10 vjet apo 12 milionë euro në vit për chek up falas. Koncesioni i hemodializës, ai i sterilizimit e të tjera me radhë. Klientelizmi në tenderimin e barnave çoi deri aty sa pa u mbushur viti i ardhjes së tij në Ministrinë e Shëndetësisë një prej kompanive të mëdha botërore, Glaxo Smith Kline, (më e sakta e gjashtë në botë) në prill të vitit 2014 deklaroi largimin nga Shqipëria. I njohur për makutërinë që ka, natyrisht në shërbim të kryeministrit në korridoret e ministrisë që ai drejton, punonjësit shprehen duke ironizuar se, “është i gatshëm të vjedhë dhe karburantit e makinës për ta shitur”.

Klienti s’ka emër

Shëndetësia ka kaluar thuajse tërësisht në duart e privatit. Edi Rama do e quante Beqajn, reformator të madh dhe në fakt ashtu është. Askush s’mund të jetë aq i zoti sa ai për të gjetur hapësira për përvetësimin e fondeve. Së fundmi në horizont po duket dhe koncesioni i radhës, ai i laboratorëve e vetmja gjë që i kish mbetur sistemit tonë shëndetësor. Më datë 28 nëntor të vitit të kaluar, qeveria vendosi që edhe ky shërbim t’i kalojë privatit. Por, nga një hulumtim në faqen e Kryeministrisë mungon edhe vendimi dhe procedurat që do të ndiqen. Por nuk dihet as kush është klienti i radhës që do të përfitojë këtë koncesion që pritet të lerë pa puna disa qindra laborantë. Dilemën e kësaj të fundit nuk ka mundur ta zgjidhë as deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila në një intervistë për “Ora News” do të deklaronte: “Kam kërkuar të më vihet në dispozicion një kopje e studimit, është përfunduar në dhjetor 2015 dhe është mbajtur i fshehtë. Ministri ka refuzuar të më vërë në dispozicion këtë studim, e ka sjellë vetëm ditën që është bërë seanca me të dhëna konfidenciale. Beqaj e do informacionin për vete për të bërë pazarin e radhës si me tre koncesionet e tjera. Eksperiencat në vende të tjera thonë se nuk kanë pasur sukses. Më shumë ka pasur hije sesa dritë në këto koncesione. Ky koncesion po eksperimentohet për herë të parë, nuk ka përfshirë MASH. Kjo është afera e radhës. Qeveria tani harxhon 1 mln euro për laboratorët në vit, këta planifikojnë 8 mln euro”. Pra, për të njëjtin shërbim, shifra rritet me 7 milionë euro pa llogaritur fitimin që do të marrë koncesionari. Thuhet se pas kësaj afere qëndron një firmë serbe dhe nuk përjashtohet të jetë një dorovitje për pritjet e përzemërta që i bënte Aleksandër Vuçiç kryeministrit tonë. Natyrisht fitimi ndahet!

Milioner brenda natës

Por çfarë do të ndodhë me këto laboratore? Është një vjedhje e pastër, ku klienti i radhës nuk do të shpenzojë asgjë. Për ta bërë më të kuptueshme nga të gjithë ajo që do të ndodhë është pak a shumë kjo. Klienti shkon me duar në xhepa dhe merr një copë letër ku e shpall fitues. Më pas, për vitin 2017 i akordohen rreth 8 milionë euro nga buxheti i shtetit, pas një kredie të marrë për këtë qëllim nga Banka Botërore, prej 65 milionë eurosh. Sipas marrëveshjes në pronësi të tij kalojnë të gjitha ndërtesat e laboratorëve, kryesisht në Tiranë, por edhe në rrethe. Marrëveshja parashikon që me nisjen e punës, fitimi ndahet në 45 për qind të klientit, 20 për qind të shtetit dhe 35 për qind që mbetet për investime. Për çdokënd që ka njohuritë më minimale në ekonomi kjo do të thotë që këtë punë mund ta bëjë dhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Ndërtesat janë, paratë janë marrë me kredi, klientela e garantuar dhe 45 për qind të fitimit janë të pastra në xhep. Po t’i shtosh këtu dhe 35 për qind të tjera, që me demek janë për investime shkon në 80 për qind. Pra, një person fizik që ka një numër NIPT-i që hapet me 200 lekë të vjetra në QKR. Është si të thuash të ngrysesh fukara dhe gdhihesh milioner, pa pasur asnjë qindrakë në xhep. Ose më qartë, pronari dhe investitori që në këtë rast është shteti të mjaftohet me 20 për qind të fitimit, ndërsa “hyzmetqari” që është koncesionari të marrë pjesën tjetër prej 80%. Kjo lloj teorie ekonomike nuk mund të ndodhë në asnjë sistem, qoftë në ekonomi tregu apo të centralizuar. Janë vetëm teori ekonomike që mendja e një rilindasi mund ta pjellë dhe në rast se do të shpërndahej ndonjë çmim për vjedhjen e parave të taksapaguesve natyrisht do të fitonte “Teoria Beqaj”… Kemi të bëjmë me një vendimi skandaloz korrupsioni, i cili do të rrjepë hallexhinjtë e këtij vendi nga të gjitha anët. Jo vetëm do të paguajmë kredinë e marrë nga Banka Botërore për këtë shërbim, por do të duhet të paguajmë dhe tarifat që do të miratohen nga klienti i qeverisë. Një tjetër situatë është ajo e pranimit të analizave. Spitali publik dhe jo vetëm, por edhe poliklinikat shëndetësore shtetërore nuk do të pranojnë asnjë fletë analize tjetër të kryer në laboratorë të tjerë të licencuar, por vetëm në ato që janë kryer në laboratorët e klientit koncesionar të qeverisë. Një tjetër pasojë e këtij vendimi absurd dhe korruptiv është dhe frika e shprehur e punonjësve. Aktualisht në këtë shërbim punojnë rreth 520 laborantë dhe 210 punëtorë të tjerë të ndihmës, të cilët do të kalojnë në varësi të koncesionarit duke u shkëputur nga struktura e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ja laboratorët që do të privatizohen

Tiranë
Laborator Spitali nr. 1
Laborator Spitali nr. 2
Laborator Pediatria
Laborator Onkologjiku
Laborator Infektivi
Laborator Sanatoriumi
Laborator Materniteti 1
Laborator Materniteti 2
Laborator Poliklinika 1
Laborator Poliklinika 2
Laborator Poliklinika 3
Laborator Poliklinika 4
Laborator Poliklinika 5
Laborator Poliklinika 6
Laborator Poliklinika 7
Laborator Poliklinika 8
Laborator Poliklinika 9
Laborator Spitali i Traumës
Laborator Urgjenca Qendrore
Laborator Poliklinika Qendrore
Tiranë Laborator Dispanceria Tiranë

Në rrethe
Gjirokastër: 7 laboratorë klinikë-biokimikë
Shkodër: 9 laboratorët klinikë-biokimikë
Elbasan: 10 laboratorët klinikë-biokimikë
Fier: 10 laboratorët klinikë-biokimikë
Lezhë: 5 laboratorët klinikë-biokimikë
Kukës: 7 laboratorët klinikë-biokimikë
Dibër: 4 laboratorët klinikë-biokimikë
Korçë: 9 laboratorët klinikë-biokimikë
Vlorë: 8 laboratorët klinikë-biokimikë
Berat: 5 laboratorët klinikë-biokimikë
Durrës: 10 laboratorët klinikë-biokimikë

Exit mobile version