“Shkoj te Astana për Europën”

Nga Rumania në Itali, për të pushuar disa pranë familjes, përpara se të nisë aventurën e re në janar me Astanën. Azdren Llullaku zgjodhi të vazhdojë karrierën në radhët e kampionëve të Kazakistanit, pavarësisht interesit nga Turqia dhe Polonia. “Sinqerisht jam shumë i kënaqur edhe për zgjedhjen që bëra. E vendosa këtë klub së bashku me familjen. Kishte edhe opsione të tjera, por në fund zgjodhëm këtë sepse luan në Champions dhe Europa League. Jam shumë i lumtur që u finalizua transferimi im te Astana”, u shpreh Azdren Llullaku.
“Kanë qenë disa skuadra në Turqi që shfaqën interes të madh. Ishin edhe Legia e Varshavës dhe Lech Poznan. Por, në fund zgjodha Astanën. Aty ishte edhe menaxheri Shkumbin Qorrmemeti dhe kjo ishte një kënaqësi edhe më e madhe për mua. Ai më ndihmoi dhe jam shumë i kënaqur”, tha Llullaku.
Transferimi te Astana është hapi më i rëndësishëm në karrierën e Llullakut, jo vetëm për nivelin e skuadrës, por edhe sepse nga kontrata 2-vjeçare, kuqeziu do të përfitojë një milion euro. “Sinqerisht këto vite që kam luajtur në Rumani, niveli ekonomik nuk ishte shumë i lartë. Prej kontratës nuk kisha mundësi të ndryshoja ekip, edhe pse e kisha shansin të fitoja disa para më tepër. Në moshën 29-vjeçare duhet të shohësh edhe pak anën ekonomike”, tha ai.
Mesfushori që u largua nga Liga e Parë rumune si golashënuesi më i mirë me 16 rrjeta të realizuara, i ka të qarta objektivat për aventurën e re. “Shpresoj që të vazhdoj të shënoj me po kaq vazhdimësi, pasi kjo është e rëndësishme. Objektivi im është të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj edhe më mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin me lojë dhe me gola”, tha Llullaku.
Me transferimin te Astana, Azdren Llullaku ka mundësi të realizojë edhe një ëndërr, jo vetëm të tijën, por të çdo futbollisti. “Ëndrra ime, ashtu si e të gjithë lojtarëve, ka qenë të luaj në aktivitetet më të rëndësishme. Astana ka fituar kampionatin dhe ka shansin të marrë pjesë në Champions. Për këtë do të punoj shumë, për të luajtur titullar dhe të aktivizohem në kupat e Europës”, përfundoi Llullaku.

Exit mobile version